Presidenti i Republikës Ilir Meta mori pjesë këtë të premte në forumin “Tirana Connectivity” që zhvillohet nga Fondacioni për Zhvillim dhe Bashkëpunim, në bashkëpunim  me fondacionin gjerman Konrad-Adenauer.

Në fjalën e tij, president i Republikës Ilir Meta theksoi rëndësinë e procesit të Berlinit dhe shprehu besimin se vendi ynë i ka të gjithë mundësitë që vitin e ardhshëm të hapë negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

 Procesi i Berlinit është konceptuar si mekanizëm përshpejtues i procesit të zgjerimit të BE-së. Zgjerimi i BE-së dhe NATO-s në rajonin tonë mbeten projekte të pazëvendësueshme dhe strategjike për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit .Procesi i Berlinit dëshmon për vëmendjen dhe angazhimin e posaçëm politik që Bashkimi Europian i kushton rajonit tone. Unë besoj se Shqipëria dhe Maqedonia i kanë të gjitha mundësitë t’i çelin negociatat e anëtarësimit vitin e ardhshëm, dhe duhet të përqëndrojmë akoma edhe më mirë të gjithë energjitë në zbatimin e reformave kyçe.

 Ilir Meta, Presidenti i Republikës

Gjatë këtij forumi Kreu i Shtetit, Meta foli gjithashtu edhe për rritjen e frymës së bashkëpunimit rajanol, nga ku theksoi se janë hedhur hapa cilësor edhe në këtë drejtim  me nisma dhe projekte konkrete, duke përmendur kështu marrëveshjen e arritur për çështjen e emrit, mes Maqedonisë dhe Greqisë.  

Për presidentin Meta zgjerimi do të ndodhë kur vendet tona të jenë gati e të zbatojnë reforma të guximshme duke korrur  rezultate bindëse për qytetarët në radhë të parë dhe për vendet anëtare që  mbështesin si partnerë rrugën e integrimit të vëndeve të Ballkanit në Bashkimin  Europian.