TIRANË- Rastet e shumta ditore me COVID-19, për presidentin Ilir Meta janë një tregues se situata e pandemisë në vendin tonë është përshkallëzuar, për pasojë i kërkon qeverisë që të reagojë!

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku i ka bashkangjitur një foto teksa  shfaqet me maskë, Meta thotë se duhet një organizim më i fortë që u jep përgjigje qytetarëve në një kohë sa më të shpejtë, pasi vonesa mund të sjellë pasoja të rënda. Për këtë arsye sipas tij, nuk duhet të trajtohen pacientët në ambulanca.  Nisur nga kjo, Meta shton se qeveria nuk duhet të kursejë dhe duhet që të mobilizojë të gjithë resurset njerëzore.

"Shpreh shqetësimin e thellë për përshkallëzimin e situatës së pandemisë COVID-19. Rastet e shtuara të humbjeve së jetëve, si dhe të qytetarëve të infektuar, përbëjnë një preokupacion madhor. Shtimi i urgjencave me qytetarë të prekur nga COVID-19 në gjendje të rëndë, të cilët vijnë drejt spitaleve të Tiranës dhe detyrohen të presin gjatë në autoambulanca, kërkon marrjen e masave të menjëhershme, që kjo situatë të mos përsëritet.

Kërkohet një organizim i fortë, që u jep përgjigje të menjëhershme problemeve të shumta dhe shpesh të dhimbshme të qytetarëve lidhur me COVID-19. Çdo ankesë e qytetarëve, duhet trajtuar me përgjegjësi maksimale dhe në mënyrë urgjente, pasi çdo vonesë rrezikon jetë dhe kjo është e papranueshme.

Qeveria duhet të bëjë maksimumin në këtë luftë me pandeminë, duke mos kursyer financimet e nevojshme dhe mobilizimin e organizuar të të gjitha resurseve njerëzore për përballimin e saj. COVID-19 është një armik i rrezikshëm dhe duhet trajtuar si i tillë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së çdo qytetari", shkruan Meta.

Gjatë ditës së sotme janë regjistruar 840 raste të reja dhe 16 viktima në 24 orë, mes viktimave është ish-kampioni i notit, Ilir Gjebrea i njohur me nofkën "peshkaqeni".