TIRANE - Grante dhe rimbursim automatik i TVSH-se për stimulimin e eksporteve “Made in Albania”. Ky është premtimi që ka dhënë lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta gjatë një takimi me punonjës të një kompanie të produkteve të përpunuara të peshkut në Vaun e Dejës. Meta u shpreh se eksporti është motori i rritjes ekonomike dhe punësimit.

“Besoj se shumë lehtësira të tjera janë të domosdoshme, sidomos për sa i takon rimbursimit automatik të TVSH-së për sa i takon të gjithë bizneseve të cilat eksportojnë pasi çdo pengesë, çdo vonesë, çdo kosto dobëson aftësitë konkurruese të kompanive shqiptare dhe nuk krijon mundësi për të konsoliduar këto eksporte në tregjet e huaja dhe për t’i shtuar ato në të ardhmen. Përveç kësaj besoj se mjaft e rëndësishme është të mbështetet me grante dhe kredi të buta për të ardhmen industria jonë e peshkimit dhe njëkohësisht edhe vetë e gjithë industria e përpunimit në vendin tonë sidomos për sa i takon makinerive dhe pajisjeve.

Sot punojnë rreth 2000 mijë punëtorë në industrinë e përpunimit të peshkut por mundësitë janë disa herë për më shumë dhe natyrisht që të gjitha këto janë avantazhe, jo vetëm sociale për komunitetin por janë edhe avantazhe shumë të rëndësishme dhe afatgjata për konkurrueshmërinë e ekonomisë sonë dhe rritjen tonë ekonomike”, tha ndër të tjera nga Vau i Dejës, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)