Meta takim dy orë me Donald Lu:
Folëm për zgjedhjet e drejtësinë

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim për rreth 2 orë me ambasadorin e SHBA në Tiranë, Donald Lu.
 
Në përfundim të takimit në një deklaratë për mediat, kryetari i Kuvendit u shpreh gjatë takimit me ambasadorin kanë diskutuar për zbatimin e reformës në drejtësi.
 
Meta u shpreh se në qendër të bisedës kanë qenë edhe zgjedhjet e 18 Qershorit, standardet dhe dekriminalizimi për kandidatët.
 
'Kemi pasur një takim konstruktiv me ambasadorin e SHBA në rëndësinë e zbatimit të reformës në drejtësi dhe natyrisht që është përqendruar te zgjedhjet e ardhshme dhe standardet e tyre dhe në përmbylljen e reformës zgjedhore, por edhe në procesin e dekriminalizimit që është jetik për zgjedhjet e ardhshme" u shpreh ai.
 
Meta nuk pranoi që të komentonte kritikat e Petrit Vasilit mbrëmë te '5 Pyetjet nga Babaramo' për rolin e Bordit të ONM, që do të monitorojë Vettingun.
 
"Nuk jam këtu për të diskutuar për detaje, por për të konfirmuar vullnet për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet brenda vendit dhe veçanërisht me ambasadën e SHBA si partner kyç dhe faktor i rëndësishëm" u shpreh ai.
 
Përsa i pëket Reformës Zgjedhore, kryetari i Kuvendit kërkoi nga palët që të ulen dhe të reflektojnë për zbatimin e rekomandimeve.
 
"Takimi me Donald Lu u fokusua në emergjencën për t'u ulur dhe për të reflektuar rekomandimet e OSBE-ODIHR-it" mbylli deklaratën e tij për mediat Ilir Meta pas takimit me ambasadorin e SHBA.

Mandati i komisionit është shtyrë edhe me një muaj, ndërsa opozita kërkon me cdo kusht votimin elektronik, por OSBE është kundër, pasi nuk ka kohë.

Prononcimi për mediat i Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta
Z. Meta, keni patur një takim herët gjatë mëngjesit të sotëm me Ambasadorin amerikan, z. Donald Lu, i cili para se sa të vinte tek ju ishte edhe tek Ambasadorja e BE. Diçka rreth këtij takimi?
Kemi patur një takim mjaft konstruktiv me Ambasadorin dhe ekipin e tij. Natyrisht ky takim tepër konstruktiv dhe bashkëpunues është fokusuar në rëndësinë e vazhdimit të zbatimit të reformës në drejtësi në mënyrë sa më transparente, parimore dhe institucionale.

Dhe natyrisht që ky takim është përqendruar edhe në rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme, të standardit të tyre dhe në përpjekjet që duhen bërë për të përmbyllur reformën zgjedhore, që duhet të ishte përmbyllur me kohë sa më shpejt në përputhje edhe me rekomandimet e OSBE-ODIHR.

Por sigurisht edhe në rëndësinë e vazhdimit të procesit të dekriminalizimit si mjaft jetik për standardin e zgjedhjeve të ardhshme, por edhe besueshmërinë e reformës në drejtësi në procesin e zbatimit të së cilës tashmë kemi hyrë.

Një ditë më parë, Ministri Vasili shprehu shqetësim dhe rezerva për ngritjen e Bordit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.  A i keni kërkuar informacion ambasadorit për ngritjen e këtij bordi, pasi Ministri Vasili e cilësoi si ekstra-kushtetues dhe tha që nuk është ngritur në nivel ekspertësh?
Nuk jam këtu për të diskutuar për detaje apo çështje të ndryshme, por për të konfirmuar edhe një herë vullnetin tonë për të bashkëpunuar ngushtë me të gjithë institucionet brenda vendit, që kanë përgjegjësitë e tyre në zbatimin e reformës në drejtësi dhe në mënyrë të veçantë me ambasadën e SHBA dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës si partner kyç në këtë reformë, por edhe si një faktor shumë i rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë e Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s.

Z. Meta në takimin që patët me ambasadorin amerikan, ju thatë që folët për reformën zgjedhore. Ku u fokusua kjo pasi u shty edhe me një muaj komisioni, ndërkohë që opozita...
U fokusua në emergjencën për t’u ulur dhe për të reflektuar rekomandimet e OSBE-ODIHR. 

Ambasada e SHBA jep detaje nga takimi Lu-Meta
Ambasada e SHBA ka dhënë detaje nga takimi i ambasadorit Donald Lu me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta. 

"Ambasadori Lu u angazhua të vazhdojë të punojë ngushtë me parlamentin për zbatimin e reformës në drejtësi. Ambasada e SHBA ka besim të madh që me mbështetjen e Kryetarit të Kuvendit Meta, Shqipëria do të realizojë këtë reformë historike për të gjithë shqiptarët. Kryetari i Kuvendit Meta dhe Ambasadori Lu diskutuan gjithashtu edhe për rëndësinë e reformës zgjedhore dhe procesin e dekriminalizimit", thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat nga Ambasada e SHBA në Tiranë. 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

I mori 8 mln lekë pacientes me COVID, Gjykata dënon me 4 vite burg për mashtrim sanitaren (EMRI)

I mori 8 mln lekë pacientes me COVID, Gjykata dënon me 4 vite burg për mashtrim sanitaren (EMRI)