TIRANË - Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot ambasadorin e Federatës Ruse në Shqipëri, Leonid Abramov.

Ambasadori Abramov shprehu urimet zyrtare dhe përcolli letrën e urimit të Kryetarit të Dumës së Shtetit, Sergey Naryshkin drejtuar Ilir Metës me rastin e marrjes së detyrës së Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Ambasadori Abramov e informoi Meta për ecurinë e deritanishme të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe shprehu vullnetin e Rusisë për rritjen e miqësisë dhe bashkëpunimit institucional mes Rusisë dhe Shqipërisë.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta shprehu vullnetin për zgjerimin e marrëdhënieve ndër-parlamentare mes dy vendeve dhe theksoi rëndësinë e avancimit drejt një rajoni të hapur, bashkëpunues, konstruktiv dhe sa më të integruar në Bashkimin Evropian, me qëllim rritjen e stabilitetit dhe mirëqenies të qytetarëve të të gjithë vendeve.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)