TIRANË - Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta priti sot ambasadorin e Italisë në Shqipëri, Massimo Gaiani, si dhe ambasadorin e Greqisë në Shqipëri, Leonidas Rokanas..
Në qendër të bisedimeve qenë bashkëpunimi ekonomik dhe përshpejtimi i procesit të integrimit të Shqipërisë drejt BE.

TAKIMI META-GAIANI
Ambasadori Gaiani e uroi Metën në emër të qeverisë italiane për rezultatin e arritur në zgjedhje dhe vlerësoi pjekurinë, përgjegjësinë dhe vullnetin e treguar nga populli shqiptar. Ambasadori u shpreh se mbarëvajtja e zgjedhjeve të 23 qershorit tregoi se Shqipëria ka hyrë në një kapitull të ri.

Meta u shpreh se vota e mençur e shqiptarëve tregon përgjegjësinë e madhe që është vendosur mbi supet e koalicionit të ri për të siguruar progresin e vërtetë të vendit dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Në këtë drejtim, Meta u theksua se është e rëndësishme që qeveria e re të tregojë transparencë, përgjegjshmëri dhe konstruktivitet maksimal.

Meta dhe ambasadori Gaiani ndanë bindjen se partneriteti strategjik mes dy vendeve duhet thelluar edhe më tej me qëllim avancimin e objektivave të përbashkëta, veçanërisht në fushën e investimeve dhe bashkëpunimit bilateral në kuadër të axhendës evropiane.

Në këtë drejtim, ambasadori Gaiani shprehu gatishmërinë e qeverisë italiane për të ndihmuar jo vetëm në arritjen e prioriteteve kyçe të BE-së, por edhe në zhvillimin e sektorëve strategjikë të Shqipërisë me interes të ndërsjellë ekonomik.
meta gaiani
TAKIMI META-ROKANAS
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta priti sot ambasadorin e Greqisë në Shqipëri, Leonidas Rokanas. Ambasadori Rokanas shprehu kënaqësinë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 23 qershorit dhe e uroi Meta për suksesin e arritur nga LSI. Në këtë kuadër, ambasadori vlerësoi rolin konstruktiv dhe proevropian, që LSI manifestoi gjatë fushatës elektorale si një kontribut i vyer për axhendën e integrimit evropian të Shqipërisë dhe për marrëdhëniet mes dy vendeve.

Meta pasi vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Greqia i jep Shqipërisë, shprehu bindjen se mbarëvajtja e zgjedhjeve dhe maxhoranca e re do të kontribuojnë ndjeshëm jo vetëm në thellimin e bashkëpunimit bilateral mes Shqipërisë dhe Greqisë, por edhe në avancimin e shpejtë të procesit të integrimit evropian.

Meta theksoi se Lëvizja Socialiste për Integrim do vazhdojë rolin e saj pozitiv e konstruktiv në interes të stabilitetit politik të Shqipërisë por edhe për forcimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit ekonomik mes vendeve të rajonit. Në këtë kuadër, Meta nënvizoi se marrëdhëniet me Greqinë do të jenë të një rëndësie të veçantë, si në planin dypalësh, ashtu edhe në planin rajonal e ndërkombëtar.
meta

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)