Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një takim me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Joseph O’Reilly dhe Asim Mollazada. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti nëpërmjet një postimi në “Facebook”.
Në fokus të takimit kanë qenë diskutimet lidhur me rëndësinë e nisjes sa më parë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.
“Kënaqësi të takohesha me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, me z. Joseph O’Reilly dhe z. Asim Mollazada, që po vizitojnë Shqipërinë për mbledhjen e fakteve mbi situatën në Shqipëri. Mirëprita angazhimin e Asamblesë Parlamentare dhe strukturave të tjera të Këshillit të Europës, përfshirë Komisionin e Venecias, për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe të lirisë së medias në Shqipëri. Gjatë takimit theksova rëndësinë e nisjes sa më parë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, dhe domosdoshmërinë për t’iu përgjigjur të gjitha problemeve të ngritura me shqetësim nga Parlamenti Europian, në rezolutën e tij të 19 majit. Vura në dukje se fatkeqësisht Shqipëria vijon të zbresë shkallët e renditjes në të gjitha raportet ndërkombëtare që analizojnë nivelin e respektimit të të drejtave të njeriut, lirisë së medias, lirive politike dhe ekonomike, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Njëkohësisht, theksova rëndësinë që ka forcimi edhe më shumë i bashkëpunimit në të ardhmen me Këshillin e Europës dhe të gjitha strukturat e tij.”, shkruan Meta në Facebook.