Presidenti Ilir Meta ka pritur në një takim të veçantë Shefin e Shtabeve të Bashkuara të SHBA-ve, Gjeneralin Josph Dunford, njofton zyra e shtypit të Presidencës.
 
Sipas komunikatës për shtyp, “presidenti Meta ka vlerësuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si të një rëndësie parësore dhe strategjike dhe bashkëpunimin në kuadër të NATO-s, përballë sfidave të përbashkëta globale si lufta kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm e qëndrueshmëriae sigurisë në rajon”.
 
“Meta i shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që SHBA i ka dhënë Forcave tonë të Armatosura në procesin e tyre të transformimit dhe modernizimit duke nënvizuar edhe ndihmën e fundit me mjete speciale transporti të blinduara.Presidenti Meta ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e SHBA në realizimin e reformave të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, transformimin dhe rritjen e kapaciteteve operacionale dhe edukimin e Forcave të Armatosura, mbështetjen e institucioneve të inteligjencës, rolin përcaktues të SHBA-së në çlirimin e Kosovës dhe angazhimin e tyre në sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të Ballkanit dhe mbështetjen kritike për anëtarësimin në NATO”, shkruhet në deklaratën e shpërndarë për mediat.
 
Gjatë bisedimve, Gjenerali Dunford falenderoi Presidentin Meta për angazhimin dhe kontributin e Shqipërisë dhe Forcave të saj të Armatosura përkrah ushtrisë së SHBA-së në Afganistan, Irak, dhe vende të tjera dhe vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë për ngritjen e nivelit të partneritetit dhe të koordinimit strategjik Shqipëri-SHBA, thuhet në deklaratë.
 
Meta dhe Gjenerali Dunford kanë shkëmbyer opinionet e tyre mbi sfidat e reja të NATO-s, mbi sigurinë kolektive dhe mbështetën angazhimin e tyre për vazhdimësinë e angazhimit në përballjen me sukses të tyre, si në planin rajonal ashtu edhe në atë global, përfundon njoftimi Presidencës.
meta 
meta
(Presidenti Ilir Meta dhe Gjenerali Josph Dunford)

Meta-Pavel: Përmirësim buxhetit për mbrojtjen
Në sajë të Konferencës së Komitetit Ushtarak të NATO-s që do të zhvillohet në Shqipëri, presidenti Meta ka takuar kreun e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Gjeneral Petr Pavel, ku shprehu besimin se kjo konferencë do të zhvillohet me sukses.
 
Sipas një komunikate për shtyp nga Presidenca, Meta i ka uruar mirëseardhjen dhe ka shprehur mirënjohjen Gjeneralit Pavel për kontributin e tij në organizimin e Konferencës së Komitetit Ushtarak në Shqipëri duke e cilësuar atë si një ngjarje historike për Shqipërinë dhe një aktivitet shumë i rëndësishëm për Aleancën.
 
Meta ka vlerësuar angazhimet e NATO-s në kuadër të sigurisë globale, rolin e saj të pazvendësueshëm për paqen, stabilitetin, zhvillimin e demokracisë dhe prosperitetin në Ballkan. Presidenti Meta e siguroi Gjeneral Pavel për angazhimin e tij në përmbushjen e detyrimeve të vendit tonë ndaj NATO-s, në procesin e modernizimit të Forcave të Armatosura dhe përmirësimin e buxhetit për mbrojtjen, shkruhet në komunikatë.
 
Gjenerali Pavel vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në kuadër të Aleancës, veçanërisht pjesëmarrjen e Forcave të saj të Armatosura në misionet e rëndësishme në vende të ndryshme, vijon komunikata për mediat.
 
Gjithashtu në komunikatën e Presidencës shkruhet se, kreu i shtetit, Ilir Meta dhe Gjenerali Pavel ndanë pikëpamjen e njëjtë mbi politikën e “Dyerve të Hapura” për vendet e Ballkanit dhe u dakortësuan se rreziqet dhe sfidat me të cilat përballet siguria globale dhe ajo kolektive kërkojnë marrjen e përgjegjësive nga të gjitha vendet antare të NATO-s.

Redaksia Online
Er.K/Shqiptarja.com