TIRANE- Kreu i Kuvendit Ilir Meta, gjatë takimit të mbajtur me Sekretarin Ekzekutiv të Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE), Sven Alkalaj, ka shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin e ofruar nga UNECE, gjatë viteve të fundit. Ndër të tjera, Meta shprehu vullnetin për rritjen e mbështetjes dhe ekspertizës së komisionit, kjo në funksion të prioriteteve kryesore ekonomike të Shqipërisë, duke nënvizuar njëkohësisht se Kombet e Bashkuara, përmes programeve të tyre të ndryshme, janë një partner solid në përmbushjen e qëllimeve kombëtare të vendit.
 
Duke qëndruar në të njëjtën linjë, Alkalaj deklaroi se qëllimi i vizitës së tij në kryeqytet është që t’i japë një shtysë të re bashkëpunimit me Shqipërinë.
Ai vuri në dukje se Komisioni Ekonomik i OKB për Europën, do t’i kushtojë gjithnjë e më tepër rëndësi projekteve zhvillimore në vendet e rajonit të Ballkanit, ku Shqipëria do të marrë mbështetjen e duhur përmes programeve të ndryshme.
 
Të dy palët biseduan mbi hartimin e projekteve konkrete të bashkëpunimit në fushat e mbrojtjes së mjedisit, menaxhimit të pyjeve, rritjes së aksesit ndaj ujit të pijshëm, përmirësimit të infrastrukturës së turizmit dhe në forcimin e kapaciteteve menaxhuese.
 
Ata ndanë bindjen se platforma e UNECE do të kontribuojë në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm, në forcimin e integrimit rajonal dhe në rritjen e prosperitetit për qytetarët shqiptarë.
 
Redaksia Online
(m.s/e.s/shqiptarja.com)