Meta takon senatorin Murphy
"Shqipëria krah SHBA dhe NATO"

Meta takon senatorin Murphy<br />"Shqipëria krah SHBA dhe NATO"
TIRANE - Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot Senatorin Christopher Murphy, Kryetar i Nënkomisionit për Çështjet Evropiane dhe njëkohësisht anëtar i Komisionit për Politikën e Jashtme të Senatit të SHBA.

Kryetari i Kuvendit Meta u shpreh se kjo vizitë konfirmon vëmendjen e vazhdueshme që SHBA i kushton Shqipërisë dhe rajonit të Evropës Juglindore. Në këtë drejtim, Meta vuri në dukje se Shqipëria qëndron përkrah Shteteve të Bashkuara dhe aktive brenda NATO-s në funksion të suksesit të luftës kundër terrorizmit dhe për rritjen e parametrave të sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit.

Gjithashtu, Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e SHBA në kuadër të forcimit të institucioneve në Shqipëri dhe në veçanti në drejtim të reformës në drejtësi.

“Kuvendi e vlerëson mbështetjen e SHBA dhe inkurajon një prezencë gjithnjë e më të fortë amerikane në Shqipëri e rajon, veçanërisht për avancimin e reformave kyçe që e çojnë Shqipërinë më afër standarteve bashkëkohore të Bashkimit Evropian, por njëkohësisht edhe në drejtim të rritjes së investimeve amerikane në rajon”, u shpreh Meta.

Nga ana e tij, Senatori Murphy shprehu mirënjohjen e thellë të SHBA për kontributin e Shqipërisë në operacionet ndërkombëtare të NATO-s në Afganistan dhe Irak.

“Shqipëria, pavarësisht se është në vend i vogël, është një nga aleatët më të medhenj të SHBA. Ne e vlerësojmë aleancën tonë të veçantë dhe qëndrojmë gjithnjë përkrah Shqipërisë në rrugëtimin e saj euro-atlantik”, nënvizoi Senatori Murphy.

Duke biseduar për zhvillimet në rajon, Meta e siguroi Senatorin Murphy për vendosmërinë e Shqipërisë për të vazhduar politikën e saj konstruktive rajonale përmes forcimit të bashkëpunimit me të gjitha vendet fqinje.

Duke u ndalur në veçanti në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, Kryetari i Kuvendit nënvizoi, se vendi ynë mbetet i hapur për dialog dhe bashkëpunim ndërajonal me shtetin fqinj.

“Më e rëndësishme është të fitojmë të ardhmen e përbashkët evropiane se sa një ndeshje sportive. Ne e mirëpresim angazhimin e Serbisë në funksion të bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal, në të mirë të të dy popujve dhe qytetarëve tanë, gjë që realizohet vetëm përmes dialogut konstruktiv dhe qëndrimit larg retorikave të panevojshme nacionaliste që tentojnë të na kthejnë pas në histori. Shqipëria qëndron e hapur për dialog dhe bashkëpunim konkret më Serbinë, ashtu si edhe me të gjitha vendet e tjera të rajonit”.

Në përfundim, Kryetari Meta dhe Senatori Murphy ndanë bindjen e përbashkët se forcimi i mëtejshëm i aleancës mes Shqipërisë dhe SHBA, e konsolidon perspektivën e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin e Ballkanit.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Kapiteni Elseid Hysaj: Goli i dytë na 'preu' këmbët, edhe mund të fitonim

Kapiteni Elseid Hysaj: Goli i dytë na 'preu' këmbët, edhe mund të fitonim