TIRANË - Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka deklaruar sot se pas 22 vjetësh e ka kuptuar se çfarë rëndësie ka “Avokati i Popullit” për një shtet demokratik dhe ka përgëzuar edhe personalisht Igli Totozanin për faktin “se u dha zë, atyre që nuk kishin zë.”

I ftuar të dëgjojë Planin Strategjik të “Avokatit të Popullit” për 2 vitet në vazhdim, Kryetari i Kuvendit rrëfeu:

 "22 vjet më parë, kur udhëtova për herë të parë për një kurs në Danimarkë,  ishte një shok ajo që pashë përtej Shqipërisë së izoluar.

Mirëpo, atje pashë rëndësinë shumë të madhe që i kushtohej një institucioni, Avokatit të Popullit. Si shumë të rinj atëherë, e quanim kohë të humbur atë vëmendje aq të madhe ndaj atij institucioni, por sot, e kuptoj mirë arsyen pse ai vend është në krye të drejtësisë sociale: sepse ka një institucion kaq të rëndësishëm si AP.

Historia e këtyre institucioneve zë në vende si Danimarka, Suedia etj. Pra, vende të të drejtave të njeriut, kështu që sot ne duhet ‘i afrohemi standarteve të këtyre vendeve.

Roli i patjetërsueshëm i AP në reformat demokratizuese të vendit u përforcua edhe më nga përfshirja e tij në zemër të rekomandimeve për statusin dhe sot, AP është bërë një institucion i pazëvendësueshëm.

Ai është bërë njëshi në parandalimin e shkeljeve të drejtave të njeriut si për romët, LGBT-së,viktimat e gjakmarrjes etj.”

Në përfundim, Meta tha se një falenderim të veçantë e meriton Qeveria e Danimarkës dhe konsulenti i të drejtave të njeriut, por një vlerësim të veçantë e meriton Totozani, sepse është meritë e tij që e nxori këtë institucion nga zyrat, e bërit të rëndësishëm dhe kërkues për qytetarët “duke i dhënë zë atyre që nuk kanë zë.”

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)