Meta-Tsiprasit: Plagën edhe
kur e përkëdhel, prapë e lëndon
Deputeti i PDIU sulmon ashpër Metën

Meta-Tsiprasit: Plagën edhe<br />kur e përkëdhel, prapë e lëndon<br />Deputeti i PDIU sulmon ashpër Metën
Në vijim të vizitës së tij zyrtare në Greqi, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit sot në Athinë në një takim nga Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras. Gjatë takimit, Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Greqia i ka dhënë Shqipërisë në anëtarësimin e saj në NATO, në marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat në BE dhe që jep ndaj ecurisë së saj në procesin e integrimit evropian.

“Jam këtu për të shprehur falënderimin për gjithë mbështetjen që Greqia ka dhënë për Shqipërinë, jo vetëm për anëtarësimin në NATO, por dhe për marrjen e statusit së vendit kandidat për t’u anëtarësuar në BE gjatë presidencës greke. Ne mbështetemi shumë te sporti i Greqisë për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Jemi dy nga popujt më të vjetër të gadishullit dhe në pjesën më të madhe të historisë popujt tanë kanë bashkëjetuar dhe kanë ndarë vështirësi të përbashkëta”, - u shpreh Meta.

Në këtë kuadër, Kryetari i Kuvendit theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të dominohen nga interesat e përbashkëta dhe se çështjet e mbartura nga e kaluara duhen trajtuar në mënyrë konstruktive sipas përkatësisë evropiane që na takon.
Natyrisht, si të gjithë fqinjët, në historinë e marrëdhënieve tona kemi disa plagë, por nuk janë këto që dominojnë marrëdhëniet tona. Ato dominohen nga interesat e përbashkët, dhe dihet që një plagë edhe kur e përkëdhel, prapë e lëndon. Por unë besoj që ne me urtësi dhe me vullnet pozitiv, jo vetëm që do t’i japim një hov të ri marrëdhënieve të gjithanshme shqiptaro-greke, sepse kjo është një kërkesë e qytetarëve tanë, por dhe t’i trajtojmë në mënyrë konstruktive sipas edhe përkatësisë evropiane që na takon të gjitha çështjet e mbartura nga e kaluara”, - shtoi Meta.

Kryetari i Kuvendit vlerësoi momentin pozitiv të Greqisë si edhe përmirësim të situatës ekonomike dhe sociale, pasi fatet e dy vendeve tona kanë qenë dhe janë sot më të lidhura se asnjëherë tjetër. 

Ne kemi përfituar shumë nga zhvillimi dhe të mirat e Greqisë pas viteve ‘90 dhe njëkohësisht edhe ne kemi ndjerë pasojat e krizës ekonomike sociale këtu vitet e fundit. Ndaj gëzohem shumë për këtë moment stabiliteti, sepse një Greqi më e fortë ekonomikisht dhe politikisht është edhe interesi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve”, - tha Meta. 

Duke u ndalur te çështjet e emigrantëve shqiptarë në Greqi, Kryetari i Kuvendit vlerësoi vizionin integrues të qeverisë Tsipras dhe kërkoi që të bëhen përpjekje edhe më të mëdha në këtë drejtim. 

“Në mënyrë të veçantë doja t’ju falënderoja juve personalisht dhe qeverinë tuaj për vizionin tuaj mjaft integrues për emigrantët. Dhe do t’ju lutesha që të bënit përpjekje të tjera në këtë drejtim, pasi kjo është shumë e rëndësishme për të dy vendet tona, jo thjesht për miqësinë, por për vëllazërinë midis shqiptarëve dhe grekëve. Në 26 vjet janë krijuar kaq shumë lidhje midis dy vendeve, midis dy popujve, lidhje familjare, shoqërore, njerëzore, ekonomike, tregtare sa që nuk mund të ketë më forcë as politika për t’iu kundërvënë kësaj marrëdhënie mjaft të fuqishme njerëzore në radhë të parë mes dy vendeve”, - tha Ilir Meta.

Nga ana e tij, Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, pasi i uroi mirëseardhjen Kryetarit Meta, e vuri theksin te përmirësimi i marrëdhënieve dhe mbrojtjen e perspektivës së fqinjësisë së mirë. Kryeministri i Greqisë i premtoi Kryetarit të Kuvendit, Meta se qeveria greke do të angazhohet për të krijuar më shumë lehtësira për dokumentet e emigrantëve shqiptarë. 

“Ky takim zhvillohet në një moment të veçantë. Një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet midis dy shteteve fqinje. Marrëdhënie të cilat gjatë rrugëtimit të tyre historik kanë pasur edhe tensione, kanë pasur edhe probleme, por kanë pasur edhe kohërat e mira. Dhe ne duhet të zgjidhim problemet dhe të kenë mbarëvajtjen e tyre. Duhet të mbrojmë perspektivën e fqinjësisë së mirë, ta mbrojmë atë nga zërat ekstremistë, nacionaliste”, - tha Tsipras, duke vlerësuar edhe kontributin e Metës në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Në këtë kuadër, unë dua t’ju falënderoj, sepse ju keni qenë gjithnjë përballë këtyre zërave nacionaliste. Përfaqësoni Kuvendin e Shqipërisë, institucionin më demokratik, kjo është një gjë shumë e rëndësishme, është djepi i demokracisë, dhe siç e dini Greqia është vendi ku ka lindur demokracia. Ndaj uroj që vizita këtu në Greqi të ketë qenë konstruktive. Por kryesisht uroj që zhvillimet në vendin tuaj të afirmojnë demokracinë, të afirmojnë edhe zgjidhjet në favor të popullit”, - u shpreh kryeministri grek, Tsipras.


[gallery]19045[/gallery]

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Mjekut italian i gjejnë 8 milionë euro të fshehura pas dollapit  

Mjekut italian i gjejnë 8 milionë euro të fshehura pas dollapit