Në muajin tetor Shqipëria do të marrë notën e radhës për progresin e bërë gjatë këtij viti në kuadër të përmirësimit të saj drejt standardeve evropiane. Progres raporti do të jetë një test për politikën dhe sistemin tonë të demokracisë, por vetë ligjvënësit ndjejnë se nuk kanë bërë aq sa duhet. Në të njëjtën linjë mendimi është edhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili mori pjesë në ceremoninë hapëse të Shkollës Verore Evropiane, e organizuar nga Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian.

Kryetari i Kuvendit theksoi se në këtë drejtim, duhet të forcojmë dhe të përgatisim mekanizmat e nevojshëm për të garantuar një monitorim sa më të mirë të kuadrit ligjor dhe një mbikëqyrje efektive të politikave për çështjet e integrimit.

Kuvendi i Shqipërisë gjithnjë do të jetë i impenjuar dhe i angazhuar për të bashkëpunuar me të gjithë grupet e interesit, dhe mbi të gjitha, për të ndërtuar e ruajtur bazat e shëndosha të një dialogu të përshtatshëm dhe efikas politik ndërmjet palëve, në interes të këtij procesi madhor për të gjithë shqiptarët. Dua ta përsëris edhe një herë se çdo çështje që lidhet me integrimin evropian, shkon përtej çdo interesi apo axhende të ngushtë partiake. Miratimi me konsensus i paketës kushtetuese për reformën në drejtësi gjatë muajit korrik është ndoshta dëshmia më e qartë e rëndësisë që përfaqëson bashkëpunimi politik dhe arritja e konsensusit për të garantuar e legjitimitetit e proceseve dhe reformave”, - vijoi Ilir Meta, teksa përfitoi nga rasti për të theksuar se në kuadër të kësaj reforme mjaft të rëndësishme kryefjala e politikanëve duhet të mbetet bashkëpunimi konstrukti dhe dialogu për të garantuar cilësinë e duhur të reformave.

Për sa i përket hapave të mëtejshëm të integrimit evropian, dua të inkurajoj edhe Këshillin Kombëtar të Integrimit, si struktura më e lartë këshillimore kombëtare për integrimin evropian e ngritur pranë Kuvendit, që të konsolidojë më tej rolin e tij, në mënyrë që të garantojë bashkëpunimin, gjithë përfshirjen mes forcave politike, si dhe rritjen e transparencës në vendimmarrjen për çështjet e integrimit, por njëkohësisht për të forcuar marrëdhëniet me gjithë grupet e interesit. Në këtë kuadër, mendoj se organizimi i Shkollës Verore Evropiane në Tiranë është një gur i çmuar që i shërben të gjithë aktorëve të përfshirë në avancimin e axhendës sonë kombëtare evropiane”, - deklaroi Meta.  

Në fjalë e tij gjatë ceremonisë, Kryetari i Kuvendit përgëzoi këtë iniciativë pozitive, që i shërben cilësisë së procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe është e mirëpritur.

Dua të shpresoj se pas kësaj shkolle një javore, të hidhen themelet për një institucion të mirëfilltë për të ardhmen, dhe këtu dëshiroj të vlerësoj vullnetin dhe predispozitën për mbështetje nga dhe ana e Bashkimit Evropian. Jemi të ndërgjegjshëm për rritjen e rëndësisë së rolit të Kuvendit, veçanërisht në kuadër të fazës së hapjes së negociatave të cilat lidhen ngushtë me procesin e përafrimit të legjislacionit. Jemi të ndërgjegjshëm njëkohësisht për nevojën e forcimit të kapaciteteve profesionale në të gjitha hallkat e administratës sonë”, - shtoi Meta.

Të ftuar në këtë aktivitet ishin edhe kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin, Zv.Ministrja e Integrimit Europian, Erisa Xhixho, Raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckestein, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, etj.
 
Apeli
“Dua ta përsëris edhe një herë se çdo çështje që lidhet me integrimin evropian, shkon përtej çdo interesi apo axhende të ngushtë partiake”.

Bashkëpunimi
“Miratimi me konsensus i paketës kushtetuese për reformën në drejtësi gjatë muajit korrik është ndoshta dëshmia më e qartë e rëndësisë që përfaqëson bashkëpunimi politik.”
 
 
Hapja e negociatave/ Xhixho: Na duhet administratë e trajnuar
Bregu më optimiste se Basha: Të na vlerësohen reforma në drejtësi 

Majlinda Bregu ndjehet më optimiste se kryetari i partisë së saj lidhur me progresin e bërë nga Shqipëria për të merituar hapjen e negociatave muajin e ardhshëm. Në ceremoninë hapëse, kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Majlinda Bregu theksoi se vendi duhet të vlerësohet për kryereformën në drejtësi, qëndrim ky që nuk ngjan me kryetarin Basha. Ky i fundit mendon se niveli i trafikut të drogës dhe korrupsioni në qeveri do të pengojë negociatat.

Reforma në drejtësi është kryereforma e cila do të na japë mundësinë për të vazhduar më tej. Besoj se ky do të jetë një vit  ku do të vlerësohemi për reformën në drejtësi”,-tha Bregu.

Ajo theksoi rëndësinë e Shkollës Verore në forcimin e kapaciteteve institucionale për integrimin. “Besoj që kjo shkollë do të lehtësojë përpjekjet për integrimin, duke forcuar kapacitetet e të gjithë aktorëve e duke ofruar të parën mundësi reale aftësimit të atyre që do të punojnë në këtë proces. Kjo shkollë synon të institucionalizojë dhe mbulojë hapësirën që ekziston në kuadër të forcimit të kapaciteteve mbi integrimin europian, në mënyrë të integruar, duke lënë jashtë vëmendjes aktorë shumë të rëndësishëm të procesit, si organizatat e shoqërisë civile, politikanët e rinj, përfaqësues të vetëqeverisjes vendore, biznesit, medias, etj. Procesi i integrimit të Shqipërisë sigurisht nuk ka nisur sot, dhe çdo eksperiencë e mëparshme që janë përjetuar ka një vlerë të shtuar për formimin e trupës së ardhshme negociatore”, - tha ndër të tjera Bregu.

Ndërkohë, zv.ministrja e Integrimit Europian, Erisa Xhixho u shpreh gjatë fjalës së saj se çelja e Shkollës Verore vjen në një moment të rëndësishëm dhe pozitiv, kur pritet dalja e raportit të BE-së pas pak javësh, teksa Shqipëria do mund të bëjë një hap tjetër përpara, pas statusit të vendit kandidat. “Kjo shkollë kërkon dhe hartimin e një dokumenti strategjik kombëtar për krijimin e strukturave të negociueshme, që është thelbësore për integrimin e suksesshëm. Ministria e Integrimit Europian ka detyrimin ligjor që të koordinojë këto struktura dhe të përafrojë legjislacionin shqiptar me atë të BE-së”, - tha Xhixho, ndërsa shprehu gatishmërinë e ministrisë për të trajnuar gjithë administratën për këtë proces të rëndësishëm.
 
Vlahutin: Duhet ta bëni Shqipërinë më të fortë  
Ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin vlerësoi krijimin e Shkollës Verore si një potencial shumë të madh edhe për të fuqizuar ekspertizën dhe për të ndërtuar rrjete të ndryshme në procesin e integrimit evropian. Ndër të tjera, Vlahutin tha se shkolla verore evropiane do të luaj një rol të veçantë në transferimin e njohurive dhe trajnimeve, si dhe do të jetë një kapital, që do ti shërbejë vendit për shumë kohë.

Dialogu, kapaciteti për të diskutuar të gjitha vendimet që duhen marrë e bëjnë shoqërinë më të fortë në të gjitha drejtimet. Ndaj dhe ju duhet të diskutoni me njëri-tjetrin se si ta bëni Shqipërinë më të fortë, por dhe gati për në BE, që Shqipëria të jetë një aktor i barabartë që të ketë diçka për të dhënë dhe kontribuar si gjithë të tjerët në anën e tregut, politikës, kulturës dhe shkollave”, - përfundoi Ambasadorja Vlahutin.

Ndërsa Knut Fleckenstein përgëzoi iniciativën e Bregut për krijimin e kësaj shkolle duke thënë se Shqipëria po përgatitë në mënyrë aktive vendin për anëtarësimin në BE.

“Nuk është BE ajo që e bënë Shqipërinë vend anëtar të BE, por ju do të jeni ata që do ta arrini anëtarësimin e saj,ju do të jeni ata që do ta bëni legjislacionin e BE të funksionojë në Shqipëri, ju do të keni kolegë në të gjitha shtetet anëtare të BE dhe ju do të mësoni brezin tjetër të zyrtarëve se si të punojnë dhe ky do të jetë një kontribut shumë i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, - nënvizoi në fjalën e tij Fleckenstein.

meta ne konference

meta ne konference

meta ne konference

meta ne konference

meta ne konference

meta ne konference


 

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)