Presidenti Meta ka vlerësuar sot dy figura të dalluara ndër vite në basketbollin shqiptar Luan Shatkun dhe Agim Lahin. Presidenti thotë se ata kanë ngritur lart vlerat tona kombëtare dhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në sportin dhe në shoqërinë shqiptare, duke u kthyer në burim frymëzimi për brezat e rinj.

Konkretisht presidenti Meta shkruan:

"Përherë nder dhe kënaqësi të vlerësoj personalitete të shquara të cilët me punën, talentin, përkushtimin dhe karrierën e suksesshme të tyre kanë ngritur lart vlerat tona kombëtare dhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në sportin dhe në shoqërinë shqiptare, duke u kthyer në burim frymëzimi për brezat e rinj.

Për kontributin e pazëvendësueshëm në zhvillimin e basketbollit shqiptar, duke përfaqësuar denjësisht fanelat e ekipeve të tyre dhe flamurin kuq e zi në arenat ndërkombëtare, dekorova dy sportistë të mëdhenj, intelektualë të dalluar e qytetarë shembullorë, Luan Shatku dhe Agim Lahi.

Luan Shatku dhe Agim Lahi përfaqësojnë dy personalitete të shquara, jo vetëm në fushën e sportit por edhe dy pedagogë të nderuar me kontribute të shkëlqyera intelektuale.

Mirënjohje për gjithçka i kanë dhënë sportit dhe shoqërisë shqiptare, si dy modele të shkëlqyera të profesionalizmit, kulturës dhe angazhimit qytetar,"-thotë Meta.