Seanca për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, në Gjykatën e Posaçme, është shtyrë për në datën 5 nëntor, për shkak të mos-paraqitjes së avokatëve, të cilët kundërshtojnë rregulloren e re të GJKO-së.
Avokatët u gjobitën me 30 mijë lekë të reja, ndërkohë që për seancën e radhës u caktuan edhe 2 avokatë kryesisht, krahas avokatëve të zgjedhur Arben Peci dhe Artan Simoni.
Ndonëse avokatët ishin në sallë, nuk morën përsipër përfaqësimin, me arsyetimin se nuk janë njohur me vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit që vendosi sigurim padie për bojkotin dhe rikthimin e shërbimit të avokatisë deri në shpallje të vendimit përfundimtar.
Gjykata insistoi se avokatët duhej të kryenin detyrën pasi vendimi i Administratives është detyrues dhe moszbatimi i tij përbën vepër penale. Por derisa DHKA sipas avokatëve nuk ka njoftuar zbatimin e këtij vendimi dhe pritet një mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm të Avokatëve pasditen e sotme, nuk mund të dalin kundër Dhomës.
Ilir Meta tha se sipas GJEDNJ, dhe disa praktikave të saj, mund të vijojë gjyqi pa avokat, pasi mbrojtësit janë në sallë dhe mbajnë shënime. Edhe Monika Kryemadhi ishte me të njëjtin qëndrim. Por prokurori i SPAK, Arben Kraja tha se veprat penale që akuzohen të pandehurit, janë të rënda dhe është shkelje e ligjit nëse nuk kanë avokat, dhe kërkoi shtyrje të seancës e caktim avokatësh kryesisht.
Ndërkohë Meta reagoi ashpër ndaj Krajës, duke thënë se avokatëve po u shkelen të drejtat për shkak të debatit mes Dhomës së Avokatisë dhe GJKKO-së, për rregulloren censuruese të hartuar nga kryetari Erion Bani.
“Qëndrova një orë në pritje për të dëgjuar gjyqin që po u bëhet avokatëve, ndërkohë që gjyqi bëhet për mua dhe duhej të niste me mua. Pse i vendosni në këtë pozitë avokatët? Ata udhëhiqen nga Dhoma, e ndonëse është një vendim arbitrar dhe ia kam thënë kryetarit të Dhomës atje poshtë kur jemi shkëmbyer në bodrum, ata penalizohen. Keni një avokat që i është hequr licenca se mori pjesë në një masë sigurie, imagjinoni me avokatët e mi. Ata s’mund të rrezikojnë punën e tyre për shkak të kësaj situate. Ndaj ata janë këtu mbajnë shënime, mund të vijojë gjyqi se mbrohem vetë. GJEDNJ e parashikon, morët një vendim seancën e kaluar ta vijonit pa avokat.
Së pari këtu duhej të ishte prokuror Kllapi, ai është marrë me çështjen, ndonëse edhe ai nuk ia ka idenë se ngatërroi në një seancë gjyqësore Ministrinë METE duke thënë “Meta”. Na u shqetësoka prokurori për të drejtat e mia se nuk mund të vijojë gjyqi pa avokat se m’u shkelkan të drejtat. Ku ishit ju kur me firmën tuaj më morën peng? Pse kur kërkon të mbrosh të drejtat e mia, nuk pyet prokurorinë e tiranës çfarë u bë me kallëzimin tim për rrëmbimin që mu bë me firmën tuaj? Ku ishit ju kur pushuat kallëzimin e KLSH, Morët parasysh kallëzimimne Romeo Karajt e nuk morët parasysh kallëzimin që bëri KLSH,. Sekretari i PL mori një nisëm që të ketë ndryshime ligjore për DHKA, pasi është kthyer si shoqatë, që ti hiqet e drejta për bojkot, por nuk u mor parasysh, u rrëzua nga mazhoranca”, tha mes të tjerash Meta.
Gjykata u tërhoq në Dhomë Këshillimi, dhe më pas vendosi shtyrjen e seancës. Gjatë kësaj kohe Meta nuk kurseu ironitë nga kafazi i qelqtë për transferimin e kryebashkiakut Erion Veliaj në Fier. Ai tha se Veliajn e kanë lënë edhe pa bukë, vetëm pasi sipas ish-presidentit, ‘shau Aleksandër Vuçiçin’.
“Avokat, gjeni njerëz çojini bukë, se as buk nuk i çojnë se shau Vuçiçin”, tha Meta.










Komente
Komento