ELBASAN-Pas miratimit të statusit të naftëtarëve edhe metalurgët kanë ngritur shqetësimin në lidhje me statusin e tyre.

Sipas tyre qeveria shqiptare asnjëherë nuk ka folur për statusin e metalurgut dhe për moshën e pensionit për këtë shtresë.

Ata shprehen të indinjuar në lidhje me këtë problem, pasi as sindikatat nuk kanë bërë asgjë në lidhje me shqetësimin e metalurgëve.

Apeli i tyre është për deputetët e qarkut të Elbasanit, ministrat e linjës dhe për Kryeministrin.

Sipas tyre të gjithë metalurgët të cilët sot janë në punë nuk arrijnë të dalin në pension 65 vjeç, pasi janë gjysmë njerëz, si pasojë e marrjes së kimikatëve të ndryshme, të cilat lirohen gjatë shkrirjes së metaleve.

“Ne si metalurg kundrejt qeverisë shqiptare që ka gjithë këtë kohë që nuk ka folur për metarulgët, për statusin e metalurgut dhe moshën e pensionit. Aty gjysma e atyre që punojnë, as gjysma nuk arrijnë të dalin në pension në moshën 65-vjeç siç e kanë lënë qeveritarët e sotshëm. Në emër të metalurgëve komplet që janë në Shqipëri i bëjmë thirrje qeverisë, kur të dojë të caktojë një grup pune ne jemi të gatshëm të ulemi të paraqesim studimin që kemi për moshën e pensionit të parashtrojmë arsyet se pse e kërkojmë dhe ne siç ia bëri naftëtarëve dhe minatorëve”, tha Ismet Dauti, Kryetar i Konfederatës se Metalurgëve.
 
Përfaqësuesit e metalurgëve shprehen se kanë gati të gjithë studimin në lidhje me statusin e metalurgut. Sipas tyre numri i metalurgëve në të gjithë Shqipërinë është shumë i vogël, gjë e cila nuk i shkakton asgjë buxhetit të shtetit. 

Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com