TIRANE, 9 Shkurt/ATSH/- Bizneseve nuk do t'u duhet të aplikojnë nëpër disa institucione të ndryshme për të marrë autorizime për veprimtarinë e tyre, pasi kjo do të ofrohet nga Qendra Kombëtare e Licencimit. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi të hënën ndryshimet në ligjin "Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë". Ndryshimet në ligj parashikojnë heqjen e të drejtës së institucioneve për të lëshuar autorizime. Zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Ervin Mete, tha se paralelisht me këtë hap po shqyrtohet edhe mundësia e reduktimit të mëtejshëm të numrit të autorizimeve. Kjo reformë në fushën e autorizimeve vjen në një kohë që qeveria shqiptare po planifikon të shkrijë Qendrën Kombëtare të Licencimit me Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, në mënyrë që bizneset të marrin shërbimin në një zyrë, duke ulur kostot, thjeshtuar procedurat dhe kursyer kohë. Referuar të dhënave zyrtare institucionet aktualisht lëshojnë 61 lloje autorizimesh në fusha në ndryshme si mjedis, siguri, tregti etj. /a.gjonaj//a.ke/