Zv/ministri i Ekonomisë, Eno Bozdo deklaroi së fundi në media se "qeveria shqiptare do të ndjekë të gjitha rrugët për të arritur këtë qëllim".
Sipas tij, Qeveria po përgatitet shumë seriozisht për të ndjekur të gjitha detyrimet dhe do marrë dëmshpërblim ekonomik që kjo kompani ka krijuar. "Jemi të vendosur të ndjekim të gjitha hapat", tha Bozdo.
Duke e konsideruar ikjen e CEZ si "një largim problematik", zv/ministri i METE-s tha se "kompania do të menaxhohet nga shteti deri në përmirësimin e situatës dhe më pas do vendoset për të".
Ai sqaroi se "do të jetë qeveria që do të marrë një vendim mbi të ardhmen e kompanisë së shpërndarjes. Shpërndarja e energjisë prej pak ditësh ka nisur të drejtohet nga administratori i caktuar nga ERE, Sahit Dollapi.
Pas largimit të CEZ, Bozdo garanton se përparësi do të ketë furnizimi me energji i konsumatorëve. "Do të bëhet gjithçka që energjia të mos mungojë në asnjë moment në shtëpitë e qytetarëve", tha ai.
(atsh/eç/shqiptarja.com)