Mickoski shpreh keqardhje për incidentin në Aeroportin e Shkupit, Kurti pret raportin zyrtar

Mickoski shpreh keqardhje për incidentin në Aeroportin e Shkupit, Kurti pret raportin zyrtar

Hristijan Mickoski

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tha se i vjen keq për incidentin në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Gjatë një konference për media, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Mickoski tha se nuk dëshiron që incidente të tilla të përsëriten, teksa tha se dy shtetet kanë raporte të mira dypalëshe.

Mickoski tha se herën tjetër kur Osmani të përdorë Aeroportin e Shkupit për udhëtime, ai personalisht do ta shoqërojë "deri në momentin kur të largohet".

Kurti, ndërkaq, tha se takimi me homologun maqedonas, ishte “i hapur, i sinqertë dhe serioz”.

Vizita e Kurtit në Maqedoninë e Veriut u zhvillua kur raportet mes dy shteteve janë acaruar për shkak të një incidenti më 1 gusht në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidenca kosovare ka pretenduar se një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes Osmani, në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike. Më pas, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut, duke i kërkuar sqarime dhe hetim të rastit të 1 gushtit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se gjatë takimit, autoritetet maqedonase shprehën sërish keqardhje për ngjarjen ku u përfshi Osmani. Ai tha se po pret një raport, pas hetimit zyrtar, që do të zbardhë të gjithë atë që ka ndodhur.

“Ka qenë përvojë dhe përjetim i rëndë i presidentes Osmani më 1 gusht, aq më tepër që ishte me dy vajzat e vogla”, tha Kurti.

Ai u pyet nëse Kosova mban qëndrimin se kjo ngjarje ishte provokim. Por, Kurti tha se këtë mund ta ketë thënë ndonjë “qytetar”, por jo edhe institucionet e Kosovës, duke theksuar se Ministria e Jashtme dhe Diasporës e Kosovës përmes njoftimeve, ka shprehur qëndrimin e Qeverisë.

Por, ngjarjen e ka cilësuar si provokim institucioni i Presidencës së Kosovës.

“Situata e djeshme në Aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”, tha Presidenca përmes një reagimi më 2 gusht.

Kurti tha se po pret që të zbardhet e gjithë kjo situatë, duke shtuar se “unë jam shumë optimist për të ardhmen”.

Kurti deri më tani nuk kishte reaguar për ngjarjen ku është përfshirë numri një i shtetit të Kosovës, përderisa analistët në Kosovë kanë thënë më herët se dy krerët e shtetit kanë mosmarrëveshje për çështje të ndryshme dhe raportet e tyre kanë pësuar një tjetër “krisje”.

Presidenca kosovare ka thënë se përkundër se i janë bërë të ditura rregullat diplomatike, sigurimi “ka tentuar fizikisht ta shtyjë presidenten, me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”.

Ky institucion po ashtu ka thënë se ndodhitë e 1 gushtit nuk mund të vlerësohen ndryshe, veçse “një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”.

Në delegacionin kosovar për këtë vizitë në Shkup është edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, e cila i dërgoi notë proteste Shkupit, por edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe ai i Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu.

Çfarë tha Shkupi për incidentin e 1 gushtit?

Autoritetet në Shkup kanë thënë se kanë nisur hetimet për rastin, ndërkaq Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka thënë se përderisa Osmani ishte duke kaluar nëpër kontrollin kufitar, në momentin që asaj iu kërkua që të linte telefonin e saj që të kalonte përmes skanerit, “një pjesëtar i sigurimit të saj është tërhequr nga një punonjës i aeroportit, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore”.

Nga Ministria e Jashtme maqedonase kanë shprehur keqardhje, për siç kanë thënë, keqkuptimet, që kanë ndodhur gjatë udhëtimit të Osmanit përmes aeroportit në Shkup.

Ndërkaq, nga Aeroporti i Shkupit kanë thënë se e kanë për obligim ligjor të kontrollojnë të gjithë udhëtarët, bagazhet dhe mallrat, përfshirë ata që udhëtojnë nëpër zonën VIP të aeroportit.

Ngjarja në Aeroportin e Shkupit është dënuar nga figura politike opozitare në Maqedoninë e Veriut, edhe nga kryetari i VLEN-it, Arben Taravari.

Koalicioni VLEN është pjesë e Qeverisë maqedonase, të udhëhequr nga VMRO DPMNE-ja e Mickoskit. Ky koalicion, i përbërë nga parti që më herët ishin në opozitë, ishte përkrahur nga Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, e cila kishte anëtarë në listën zgjedhore të këtij koalicioni.

Neziri: Incidenti në aeroport nuk do të rrënojë raportet mes Prishtinës dhe Shkupit

Njohësi i zhvillimeve politike, Xhelal Neziri, nga Maqedonia e Veriut tha se nuk beson që incidenti në Aeroportin e Shkupit do të jetë ndonjë pengesë e madhe, që do të mund të rrënonte raportet e mira mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Çështja e incidentit me presidenten në Aeroportin e Shkupit do të sqarohet shpejt, pasi duhet të merren parasysh shumë aspekte, si aspekte të marrëdhënieve ndërkombëtare, konventave ndërkombëtare, ligjit ndërkombëtar si dhe aspekti i sigurisë brenda aeroportit. Kur të shihen të gjitha të dhënat e regjistruara nga kamerat e aeroportit, do të sqarohet në tërësi rasti”, tha Neziri për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Nezirit, faktori i parë që ka mundur të shkaktojë incidentin është që edhe vet zyrtari i Aeroportit të Shkupit të jetë motivuar politikisht apo etnikisht që të shkaktojë një incident të tillë, për shkak se, sipas tij, me siguri e ka njohur presidenten e Kosovës. Ose, një variant tjetër, sipas tij, mund të jetë se e gjithë kjo ngjarje është një keqkuptim lidhur me protokollet e sigurisë që duhet të ndiqen për personat që kalojnë përmes terminalit VIP.

Neziri konfirmoi se në Maqedoni të Veriut po zhvillohet një debat i ashpër politik sa i përket këtij incidenti. Opozita shqiptare ka kritikuar Qeverinë, duke e akuzuar për tendencë ndaj presidentes Osmani. Debati po ashtu është ndezur edhe për faktin se për herë të parë pjesë e Qeverisë maqedonase është Ivan Stoikoviq, mik i Beogradit dhe Moskës, dhe një person që hapur është shprehur kundër Kosovës.

Pastaj, sipas Nezirit, ky debat u kurorëzua në atë mënyrë që Qeveria maqedonase të portretizohet si antikosovare.

“Prandaj, edhe reagimi i Qeverisë maqedonase ishte pikërisht në atë kontekst: të mos tregojë frikë dhe nënshtrim për atë që ndodhi në Aeroportin e Shkupit”, tha Neziri.

Lidhur me reagimin e partive shqiptare - që e kanë dënuar incidentin, por kanë fajësuar njëra-tjetrën për të - Neziri tha se ka kohë që raportet e tyre janë të armiqësuara dhe çdo rast ato e përdorin për të këmbyer akuza, sikurse ndodhi edhe për ngjarjen e 1 gushtit.

“Është një luftë e ashpër që ndodh mes partive politike shqiptare. Është BDI dhe Fronti Evropian si koalicion opozitar që akuzon koalicionin VLEN, që është pjesë e Qeverisë, si një përfaqësues jolegjitim i shqiptarëve për shkak se mori më pak vota në zgjedhjet e fundit parlamentare. Dhe ky debat mbi legjitimitetin ka prodhuar krizë të paparë në marrëdhënies mes partive politike këtu. Incidenti u përdor apo u keqpërdor pikërisht në këtë kontekst, legjitimiteti dhe fuqia politike që mund të ketë VLEN-i për të përfaqësuar shqiptarët në këtë Qeveri”, tha ai.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë raporte diplomatike dhe deri më tani nuk kanë pasur incident të kësaj natyre.REL

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja, Presidenti e Kryeministri urojnë besimtarët katolikë! Begaj: Të reflektojmë mbi vlerat më të larta të njerëzimit

Krishtlindja, Presidenti e Kryeministri urojnë besimtarët katolikë! Begaj: Të reflektojmë mbi vlerat më të larta të njerëzimit