TIRANE- Njëzet punonjësit e policisë të cilët u pezulluan nga detyra pas incidentit ku dy ish të përndjekur politikë qëlluan me miell makinën e kryeministrit Berisha tek Kuvendi, janë rikthyer në punë.

Mes policëve të pezulluar me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ishte edhe shefi i rendit të komisariatit numër 1 në Tiranë, dy inspektorë dhe 17 efektivë policie.

Arsyeja që fshihej pas pezullimit të tyre ishte për faktin se nuk morën masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së kryeministrit gjatë momentin kur ka kaluar eskorta.

Sipas policisë së Tiranës, dënimi për këta punonjës të komisariatit numër 1, është 7 ditë të punës pa pagë.

Dy ish të përndjekur qëlluan me miell eskortën e kryeministrit Sali Berisha më 13 shtator, ndërsa vetëm dy ditë më vonë u urdhërua pezullimi i 20 efektivëve të cilët ishin në detyrë. Skënder Tufa dhe Agim Kollçaku arritën të godisnin me miell makinën e kryeministrit teksa ky i fundit ishte duke hyrë në Parlament. Sipas policisë, ata përfituan nga përgjumja e policëve çka shkaktoi edhe pezullimin e tyre.

Redaksia Online

(Gre.M/Shqiptarja.com)