'Mijëra' dashuritë e Alain Delon, nga Mireille Darc te Dalila Di Lazzaro! Por, Romy Schneider mbeti përgjithmonë dashuria më e madhe

'Mijëra' dashuritë e Alain Delon, nga Mireille Darc te Dalila Di Lazzaro! Por, Romy Schneider mbeti përgjithmonë dashuria më e madhe

Romy Schneider dhe Alain Delon në 1959

Një burrë i parezistueshëm, i pashëm, magjepsës. Fotot bardh e zi e tregojnë Alain Delon krah femrave të bukura, me një vështrim adhurues: aktore, këngëtare dhe modele. Sytë e tyre plot jetë dhe shpresë, por historitë nuk zgjasin. Ai ishte një yll, një pushtues i zemrave të grave, një figurë e dashur dhe e kritikuar, një ikonë kontroverse; feministet protestuan për dhënien e Palmës së Nderit në Festivalin e Kanës në 2019, duke e etiketuar si "racist e homofob ".

Që në fillimet e karrierës së tij, në vitin 1957, i riu Delon njihet për historitë e tij të dashurisë: Brigitte Auber, Michelle Cordoue (gruaja e regjisorit Yves Allégret, që i hapi dyert e kinemasë), aktorja Olga Horstig. Në vitin 1958, Delon takon gruan që mbetet "dashuria e jetës së tij", Romy Schneider, e cila u bë shumë e famshme me rolin e Sisit.

Delon dhe Romy Schneider gjatë provave për një shfaqje teatrale 

Ata u njohën në xhirimet e filmit The Pure Lover ( Christine), një melodramë e drejtuar nga Pierre Gaspard-Huit. Marrëdhënia zgjat disa vite, por lë gjurmë në jetën e të dyve; ata janë çifti i preferuar i tabloideve, të bukur, të rinj, të dashuruar. Por Delon e ndërpret marrëdhënien me një letër të shkurtër në vitin 1964; ai e lë atë për t'u martuar me Francine Canovas (Nathalie Delon), me të cilën ka djalin Anthony, i lindur po atë vit. Ajo është e vetmja grua me të cilën është martuar.

Aktori dhe Nathalie Delon në 1965

Romy megjithatë mbetet në zemrën e tij, një lidhje që shkon përtej jetëve vështirësive të jetës, martesave, flirtimeve dhe fëmijëve. Kur në vitin 1981 djali i Schneider, David, vdes në moshën 14 vjeçare duke u përplasur në portën e shtëpisë, Schneider është e shkatërruar. Aktori mbetet prezent në jetën e saj: ajo mbështetet në krahun e tij në funeralin e djalit, dhe Delon, pas vdekjes së aktores, do të bëjë që trupi i David të zhvendoset në varrin e nënës së tij.

Kur ajo vdes në vitin 1982, ai i shkruan një letër prekëse, e cila më vonë u botua edhe në librin Alain Delon: Amours et mémoires të vitit 2023. "Puppelé ime (‘kukulla’ e vogël në gjermanisht), ti erdhe nga Vjena dhe unë të prisja në Paris, me një tufë lulesh në duar. Unë rashë marrëzisht në dashuri me ty dhe ti u dashurove me mua. Shpesh ia kemi bërë këtë pyetje njëri-tjetrit: kush u dashurua i pari? Ti apo unë? Ne numëruam: 'Një, dy, tre!' dhe thamë, 'As ti as unë'! Së bashku," shkruhet në letër.

Delon dhe Schneider në xhirimet e 'Christine'

Shumë flirtime: një nga më të famshmit është ai me Nico, ikonën e Velvet Underground. Djali Ari Boulogne, i lindur në vitin 1962 dhe i vdekur në vitin 2023, ka thënë shpesh se është djali i Delonit, por aktori nuk e ka njohur kurrë. Një pasion i madh me Dalida, që u shndërrua në miqësi dhe në një bashkëpunim artistik (së bashku kënduan Paroles paroles). Ndër shumë histori, edhe ajo me Dalila Di Lazzaro e cila kujton: "Ai ishte i përndjekur nga gratë, i gjente kudo dhe vuante nga kjo." Ai lidhet me Mireille Darc nga viti 1968 deri në vitin 1983,. "Ajo ishte gruaja e jetës sime," tha kur aktorja vdiq në vitin 2017. "Pa të, mund të iki edhe unë."

Mireille Darc me Alain Delon

Por në fund të viteve '80, Delon ka një marrëdhënie tjetër të rëndësishme, atë me modelen holandeze Rosalie van Breemen, me të cilën ka dy fëmijë: Anouchka (lindur në vitin 1990, të cilën ai e ka quajtur dashurinë më të madhe të jetës së tij) dhe Alain-Fabien (i lindur në vitin 1994). Marrëdhënia përfundon në vitin 2001.

Në listën e gjatë të marrëdhënieve, reale ose të supozuara, shtohen emrat e Marisa Mell, Veronique Jannot, Sylvia Kristel, Sydne Rome, Anne Parillaud dhe Catherine Pironi. "Nuk ishte kurrë ëndrra ime të bëhesha aktor. Unë hyra në profesion dhe vazhdova të interpretoj për shkak të grave dhe për gratë," ka shkruar në parathënien e librit të tij Alain Delon: Amours et Mémoires../La Repubblica

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • cubi: 19/08/2024 15:02

    kush nuk do donte te kishte fat dhe jete si alan delon...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi