TIRANË- Paratë cash që presidenti i Dinamos, Adrian Bardhi u shpërndau futbollistëve nga një qese e zezë pas fitores 4-0 ndaj Audas, kanë sjellë kritika edhe nga deputeti socialist Erion Braçe. Ai ngre pikëpyetje për burimin dhe mënyrën e shpërndarjes së parave. Videoja, e cila është publikuar edhe nga media argjentinase “Diario Olé”, sipas Braçes po i jep Shqipërisë një imazh negativ jashtë vendit.

“Kjo është të lësh nam nga Shqipëria në Argjentinë. E kthim me para në qese të zeza në dorë!”, shkruan Braçe.

Nisur nga këto pamje, Braçe rikthen në vëmendje nevojën për një ligj për sponsorizimin e sportit, të cilin e propozoi në nëntor të vitit të kaluar. Sipas tij, klubet kanë nevojë për financime, por paratë duhet të futen në sport në mënyrë të ligjshme, të deklarohen dhe të pasqyrohen në bilance, dhe jo të shpërndahen cash nga “qese të zeza”.

Braçe shkruan se në thelb të këtij ligji parashikohet që një pjesë nga fitimet e çdo kompanie t’i shkojnë sportit në mënyrë të ligjshme dhe jo që paratë t’u hidhen surratit lojtarëve nga qeset e zeza. Megjithatë, ai thotë se pamjet nga dhomat e zhveshjes së Dinamos mund ta bëjnë edhe më të vështirë miratimin e një ligji të tillë, pasi Ministria e Financave ka qenë kundër nismës.

“Pas këtyre pamjeve, realisht nuk di si t’ia mbush mendjen ministrit të Financave për ta pranuar atë ligj. Thelbi i tij është që një pjesë nga fitimet e çdo kompanie t’i shkojnë sportit, por në rrugë të ligjshme e në bilance transparente e të pastra të sportit. Jo në qese të zeza e duke ua hedhur surratit lojtarëve, mu si ata të dehurit nëpër dasma apo ambiente tallavaje! Nuk ndodh kurrkund tjetër kjo”, shkruan Braçe.

Deputeti i drejtohet edhe Federatës Shqiptare të Futbollit, duke kërkuar sqarime nëse në futbollin shqiptar zbatohen rregullat e UEFA-s për kontrollin dhe transparencën financiare.

Presidenti i Dinamos u premtoi futbollistëve një bonus prej 500 mijë eurosh, nëse skuadra arrin të eliminojë Pafos dhe të sigurojë kualifikimin në fazën e ligës të Conference League. Presidenti Bardhi ka zgjedhur t'u shpërndajë futbollistëve paratë 'cash' nga qesja, duke shmangur llogaritë bankare, çka shton dyshimet për këto të ardhura.

Reagimi i plotë i Erion Braçes

Fjala ime Shiheni videon: Kjo është të lësh nam nga Shqipëria në Argjentinë. E kthim me para në qese të zeza në dorë! Diario Olé është media në Argjentinë dhe po xhiron në gjithë botën këto pamje shqiptare!

Dëgjoni: Unë kam qenë për shumë gjatë kundër një ligji për sponsorizimin, me fokus sportin e posaçërisht futbollin. Nisur nga realiteti i parave në qese të zeza që qarkullojnë në sport, posaçërisht në futboll. Këto pamje më provojnë që kam pasur të drejtë, por edhe që ministrat e Financave që kanë kundërshtuar kishin të drejtë.

Për shkak se jam tifoz futbolli, e dinë të gjithë këtë, duke parë nga afër vështirësitë financiare të klubeve të futbollit, të cilat shkojnë drejt rrënimit, jo drejt zhvillimit, duke parë që sukseset e ekipit kombëtar nuk po e ndihmojnë futbollin në çdo nivel, vjet në nëntor propozova një ligj për sponsorizimin e sportit!

Ndryshova qëndrim, poooooo! Ministri i Financave jo! Pas këtyre pamjeve, realisht nuk di si t’ia mbush mendjen ministrit të Financave për ta pranuar atë ligj. Thelbi i tij është që një pjesë nga fitimet e çdo kompanie t’i shkojnë sportit, por në rrugë të ligjshme e në bilance transparente e të pastra të sportit.

Jo në qese të zeza e duke ua hedhur surratit lojtarëve, mu si ata të dehurit nëpër dasma apo ambiente tallavaje! Nuk ndodh kurrkund tjetër kjo! Sinqerisht, unë nuk e di ç’bën në jetën tjetër presidenti i Dinamos, pra përtej futbollit, nuk më intereson fare; por shpresoj të mos merret me ekonomi, ndryshe do të vendosë në vështirësi të madhe organet ligjzbatuese në fushën fiskale.

Në fund, kam një pyetje për FSHF-në: Funksionon tek ju, si institucion që organizon garat në futboll, UEFA Financial Fair Play?! Ky me qese të zeza nuk është i tillë, as për garat kombëtare e as për garat ndërkombëtare, siç është kjo e UEFA-s në video!

Postimi i Erion Braçes