Miladin Popoviç: Ti je si Mustafa
Gjinishi ‘përça e sundo’

Miladin Popoviç: Ti je si Mustafa<br />Gjinishi ‘përça e sundo’
TIRANE- Kjo është pjesa e fundit e replikës së Miladin Popoviç me Koço Tashkon në vjeshtën e 1942. Letra përgjigje e të dërguarit të Partisë Jugosllave në Shqipëri erdhi menjëherë pasi Koço tashko i shkroi një letër Kominternit në Moskë, duke analizuar me imtësi të gjithë gabimet sipas Tashkos në drejtimin e Partisë Komuniste shqiptare, që prej themelimit të saj e deri në konferencën e Pezës në shtator 1942. Pas shumë akuzave të Koço Tashkos në adresë të Miladin Popoviç, të cilin e quante fajtorin e drejtpërdrejtë, ky i fundit i përgjigjet tashkos pothuajse për të gjithë vërejtjet dhe akuzat e rreshtuara në letrën adresuar Kominternit.

Për dy javë rresht Shqiptarja. com, i zbardhi të plota dokumentet e ruajtura në dosjen 5 të fondit 14 në AQSH mbi këtë replikë, duke e mbyllur sot me pjesën e fundit të letrës së Popoviç, ku theksohen disa përplasje idesh e ku Popoviç nuk kursen ti kritikojë dy prej emrave të rëndësishëm të Partisë, Mustafa Gjinishin (Tafarin) dhe Koço Tashkon (Dinon). Kam marrë nga depoja fishekë por kurrë në mënyrë tinëzare dhe vjedharake. Vetëm kur kanë qenë aty shokët, e kam quejt dhe e quej si një të drejtë timen se asht pasuni e përbashkët dhe jo vetëm e Tafarit dhe e ekonomit; kam pa edhe që shokët tanë s’kan pasë as edhe nga 30 fishekë, dhe se në depo gjindeshin shumë fishekë që Tafari ua jepte atyre që donte vetë, e që Kajo i dytë i digjte kur i donte qejfi.

E pse pra unë nuk kisha të drejtë me djeg disa fishekë ose kur shokët më janë ankue tue thanë se s’kanë fishekë, me u thanë atyneve merrni? A ashr kjo vjedhje? Apo nuk asht tamam vjedhje me u dhanë atyne njerzvet që nuk duen me luftue siç ka ba dikush tjetër që ka dhanë fishekë prej depos që të gjithve u binte nji pjesë e madhe? Apo s’ishte ma mirë me i marrë pushkët e mitralozat se, me i lanë me i marrë e me i djegë armiku siç e ke dhënë ti informatën në raport? Ma në fund unë dua të tem se durimi i jem mund të harrijë fundin po të vazhdojnë të më veshin të këtilla gënjeshtra dhe mundem me ju përgjegj masës me një kundër masë përgjegjëse. Mue tash vetëm nji gja më intereson, dhe s’di se si ta shpjegoj se si erdhi gjith ky ndryshim mendimi në P. Referatet e tueja të mëparshme dhe letra jote e fundit që e kam këtu, nuk pajtohen me këtë raport, por unë, mbasi aty flitet aqë shumë për P. do ta shoqnoj bashkëngjitur me referatin që kështu të mund të krahasohet pikëpamja e jote.

Ma tepër asht çudi sa fort puthiten pikpamja e jote me atë të Tafarit. “Përça e sundo” asht e Tafarit që e don aq fort dhe ti e merr hua me aq vullnet. Gaboheni si ti si Tafari, sepse fakti asht se ata kanë qenë dy grupe. Dhe ti vetë në konferencën e parë ke punue me këmbëngulje për me tregue se me të vërtetë janë dy grupe dhe jo nji. Asht për t’u çuditë pra se prej nga të vjen ty mendimi se unë kam ba gjatë konferencës politikën “Përça e sundo”. Vetëm pa tjetër do të përgjigjet përmbi të dhe për çështjen e 1939-ës konferenca ka çfaqë pikëpamjen dhe ka marrë vendimin e vet.

Për sa i përket T. edhe ai, pa dyshim, ka me t’u përgjegjë. S’asht e vërtetë që unë jam bazue në grupe, mund të them qysh tash se jam bazue ma tepër në grupin e Korçës që padyshim asht grupi i jot dhe për të cilin ti flet akoma edhe sot me buzëqeshje sa herë që gjen rast të flasësh për të, si p.sh. thue se lëvizjet e Skraparit janë të drejtuara prej K.q. të Korçës, dhe s’don me dijtë të vërtetën se kjo lëvizje asht e udhëhequn prej shokut që asht antar i K.Q. dhe prej organizatës së qarkut të Beratit. Ndofta ti edhe këtë çashtje e andrron e shprrallon. “Lëvdatat në sy dhe kundër masat mbas shpine”. Jo vetëm ti por edhe shumë shokë e dijnë se unë nuk flas asgja mbas shpine dhe se atë që kam për ta thënë ta flas në sy. Por nji gja asht e vërtetë se flas për shokët dhe në mungesë të tyre, por flas vetëm atë që mund t’i thuhet shokut edhe në sy.

Nuk do të jetë e vërtetë se unë kërnohem brutalisht me dëbimin nga partija kur asht çashtja për një kritikë principi. Këto s’janë tjetër veçse fjalë të mëdha: “kërnime brutale”, “kritika principi”; por mos asht në kët mes fryma e keqe kritike (kritizerstvo) dhe vogëlsija? Kur të kam thënë se autokritika e rrëzon prestigjin?(!) të këtilla marrzina nuk kam mundë kurrsesi me i thanë, vetëm ti i ke shpifë nga koka e jote. Por shok unë e bëj autokritikën aty ku asht vendi, me e ba e jo përpara teje. Pra ti mos u lodh kot të kërkosh “shpifjet e mbrapa trunit tim”. E në qoftë se të intereson aq fort, pse nuk më ke pyetë, ose të paktën pse nuk e ke hapë bisedën n’atë kuptim? Sepse ndoshta kisha edhe unë diçka me të folë. Atë çka unë nuk mund të krijoj, d.m.th. lëvizjen popullore në Shqipëri, mundet me e krijue K.Q. dhe pa tjetër po e krijon.

Për sa i përket punës së Malëshovës, që ti po e kërkon pak vonë, kam çue propozimin qysh në prill, por dije se në gusht asht nisë lajmërimi për nisjen e tij. Për sa i përket ardhjes që të ketë të drejta të plota ke unë, do të jem fort i gëzueshëm dhe sikur të jetë i Partisë Jugosllave për të cilën ti çfaq një farë mosbesimi. Me kaq unë i jap fund kësaj përgjegje që e kam për detyrë me i dhanë letrës tande. Kisha qenë më mirë sikur të kishim mundë me bisedue, se nëpërmjet letrash, shpesh herë mbërrihet në mosmarrëveshje dhe në keqkuptime.

Ndoshta do të plotësohet dëshira e jote të çlirohesh nga qënja e ime, në Shqipëri, e kjo bile do të ngjasë ndoshta shpejt, por vetëm mos mendo se do të mbesi gjendja e vetër, sepse unë s’mund të largohem veçse mbasi të kem krye detyrën që më asht ngarkue. P.S. Më pyet ti pse s’kam lajmërue Qamil Çelën, po të them se për këtë më kanë folë disa vetë shumë keq, por këto thanje i ka përgënjeshtrue tash Doktori, kurse për Malëshovën kam ndëgjue edhe bile dij edhe pseudonimin e tij.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Operacioni i SPAK me 19 urdhër arreste, masë sigurie për Suel Çelën dhe vëllain e tij

Operacioni i SPAK me 19 urdhër arreste, masë sigurie për Suel Çelën dhe vëllain e tij