Në Shqipëri, 41% e vajzave dhe grave të moshës 18-24 vjeç kanë përjetuar të paktën një nga format e dhunës digjitale të ushtruar përmes teknologjisë, thonë të dhënat e organizatës së OKB, UN Uomen.

Këtë 25 nëntor në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave në Shqipëri, prezenca e OKB-së dhe OSBE-së në Tiranë, diplomatë, drejtues të institucioneve, organizatave të ndërkombëtare dhe shoqëri civile, hapën fushatën ‘16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore’. Në vëmendje të fushatës globale është kërcënimi në rritje i dhunës digjitale ndaj vajzave dhe grave.

OKB thonë se dhuna me bazë gjinore në internet ose jashtë tij mbetet një nga sfidat më urgjente të Shqipërisë në fushën e drejtave të njeriut. Më shumë se një ndër dy gra dhe vajza në vend kanë përjetuar një ose më shumë forma të dhunës gjatë jetës së tyre. Në periudhën nga 2021 deri në 2024, 27 gra janë vrarë nga partneri intim ose nga një anëtar i familjes. Gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, 2,881 gra kanë raportuar dhunë, ndërsa mbi 3,650 gra kanë kërkuar ndihmë nga Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza.

Të pranishme në këtë aktivitet, Ministrja e Brendshme Albana Koçiu dhe ajo e Shëndetësisë Evis Sala pranojnë se parandalimi kërkon politika më të qarta dhe institucione të fuqishme, duke nënvizuar se ndryshimet në Kodin e ri penal forcojnë mbrojtjen e grave dhe vajzave.

Fushata ‘16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore’ deri në 10 dhjetori ditës së të drejtave të njeriut, do të sjellë në të gjithë vendin aktivitete edukative, në sensibilizim kundër dhunës. Në Fier u zhvillua një marshim sensibilizues nga punonjës të Bashkisë, Policisë së Shtetit dhe shoqata ku u veçua nevoja e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional kundër dhunës ndaj grave dhe mbrojtjes së viktimave.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:51
Dhuna ndaj grave/ Psikologia: Shifrat janë në rritje, 260 raste në vit në Qarkun Elbasan

 

Dhunës ndaj grave në Shqipëri po i ndryshon forma, por jo ashpërsia. Në Elbasan, gjatë vitit 2025, specialistët kanë vërejtur një fenomen të ri shqetësues. Dhuna fizike po zëvendësohet me dhunë dixhitale, një formë e fshehtë, por po aq shkatërruese.

Organizatat që punojnë me gratë në këtë qytet raportojnë se rrjetet sociale janë kthyer në mjedisin kryesor të sulmeve, që shpesh degradojnë në kërcënime dhe përndjekje virtuale.

Sipas psikologes së Forumit të Gruas në Elbasan, Mirela Gjoni, rreth 80% e njohjeve online të grave shoqërohen me forma të ndryshme presioni, manipulimi dhe dhune psikologjike.

'Fokusi këtë vit është dhuna online. Pse është në fokus kjo? Sepse pjesën më të madhe të kohës sot e kalojmë në rrjetet sociale dhe duke pasur një akses kaq të lartë, jeta jonë është kthyer në një jetë online dhe aty po ndodhin format më të ndryshme të dhunës ndaj grave dhe vajzave. Kemi një rritje jo vetëm në zonat urbane por edhe në ato rurale. Rastet e dhunës digjitale janë në rritje, janë 260 raste në vit në të gjithë qarkun e Elbasanit. 80% e njohjeve bëhen në rrjetet sociale', tha ajo. 

Vetëm gjatë vitit 2025, 160 gra i janë drejtuar Bashkisë së Elbasanit për ndihmë, duke konfirmuar rritjen alarmante të rasteve dhe përhapjen masive të dhunës dixhitale.
Nadire Kreka- Përgjegjëse e Sektorit për Mbrojtjen Gjinore,Etnike dhe Diskriminimit. 

Vetëm në Forumin e Gruas në Elbasan gjatë këtij viti regjistrohen 260 raste të dhunës me bazë gjinore. Mesazhi që u dha nga zemra e Elbasanit ishte i qartë, se  dhuna dixhitale nuk është thjesht një problem personal, por një plagë shoqërore që kërkon reagim të përbashkët.

Aktorët e shoqërisë civile, institucionet, të rinjtë dhe qytetarët që u bashkuan në aktivitetin “Stop dhunës dixhitale” dëshmuan se ndërgjegjësimi është hapi i parë drejt ndryshimit.