Milan Shuflaj, Përpjekjet për
të përfunduar “Acta Albaniae...”

Biblioteka Kombëtare Hungareze e Budapestit, “Szechenyi,”ruan një korrespondencë të Shuflajt me Thallocin dhe Jozef Bajzën për studimet e mesjetës shqiptare.
Në Biblioteken Kombëtare Hungareze të Budapestit, “Szechenyi,” ruhet një letërkëmbim i Milan Shuflajt me dr. Ludvig Talocin dhe Jozef Bajzen, në një vëllim prej 219 letrash [ose 462 faqe] të pabotuar dhe të panjohura deri më sot.

Këto letra trajtojnë problematikën mesjetare shqiptare; botimet e ndryshme si dhe vazhdimin e studimit dhe hulumtimit nëpër arkiva të ndryshme të Evropës. Letërkëmbimi është në gjuhën hungareze, i shkruar nga vetë Shuflaj, autograf, kryesisht me dorë, ndërsa një numër i vogël faqesh janë të daktilografuara.

Ky letërkëmbim, përfshin periudhën e viteve 1908-1915. E veçanta e këtij letërkëmbimi është se aty, në mënyrë shumë të hapur, pasqyrohen qëlimet dhe planet afatgjata të Milan Shuflajt për studime të themelta në fushën e albanologjisë, duke përfshirë edhe përgatitjen e një historie 8 [tetë] vëllimshme të Shqipërisë, nga lashtësia deri te shpallja e pavarësisë, në vitin 1912.
 
Qëndrimi i Milan Shuflajt në Shqipëri dhe marrëveshja për vazhdimin e studimeve në fushën e albanologjisë me mbretin dhe qeverinë shqiptare
Qeveria shqiptare, duke treguar respekt dhe nderim të veçantë, për shkencëtarin dhe albanologun e njohur kroat me famë botërore, e fton në fund të vitit 1930, që të vizitojë Shqipërinë. Kjo ftesë bëhet menjëherë pasi “Kaiserliche Akademie der Wissenschaften in Wien” i kishte propozuar dr. Shuflajt të vazhdojë botimin e vëllimit të tretë, të “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”.

I pritur me nderimet më të larta shtetërore, që nga mbreti Zog, kryeministri, ministri i kulturës dhe më në fund nga anëtarët e Parlamentit shqiptar, dr. Milan Shuflajt i njihet, dhe në një farë mënyre i shpërblehet gjithë mundi që kishte bërë në hulumtimet dhe kërkimet shkencore në fushën e albanologjisë dhe veçanërisht në studimin dhe botimin e dokumentave mesjetare të cilat deri në atë kohë pothuajse ishin të panjohura fare. I shoqëruar nga intelektualë dhe politikanë shqiptarë, studiuesi i madh kroat viziton arkiva të ndryshme kishtare, biblioteka, pika arkeologjike dhe njihet për së afërmi me kulturën dhe traditën shqiptare, për të cilën kishte shkruar aq shumë.

I impresionuar nga mbishkrimet dhe dokumentat e shumta mesjetare, ai kërkon që pjesa më e madhe e tyre të fotografohen ose të përshkruhen që më vonë, kur të kthehej në Zagreb, t’i studionte me themel dhe të nxirrte konkludime të rëndësishme shkencore. Për fat të keq, një gjë të tillë nuk arriti ta bënte kurrë, sepse u vra nga dora kriminale e policisë serbe.

Në mbrëmjen e 18 shkurtit të viti 1931, aty rreth orës 20, Milan Shuflajt i zihet pusi në rrugën “Dalmatinska” nr. 6, (në Zagreb) dhe goditet për vdekje. Vdiq të nesërmen, më 19 shkurt, nga plagët e rënda. Vrasësit ishin Branko Zëerger, Lubomir Bellosheviqi dhe Stevo Veçerina. Ata kishin marrë urdhër nga Beogradi që ta likuidonin dr. Shuflajn.
 
Shteti shqiptar, heq të gjitha shpenzimet që do të bëheshin për botimet e “Acta Albaniae...” dhe të një historie të Shqipërisë disa-vëllimëshe
 
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, më 16 janar 1931, dr. Shuflaj mban një fjalim në Parlamentin shqiptar, ku në mënyrë të hollësishme elaboron punën rreth botimit të vëllimeve në vazhdim të “Acta Albaniae”, si dhe të “Historisë së Shqipërisë”. Për këtë gjë, Parlamenti shqiptar e urdhëron ministrin e arsimit që nga buxheti i shtetit të paguante në llogari të dr. Milan Shuflajt, në “Banque Commerciale de Bâle á Zurich”, shumën prej 75.000, frangash ari, që sot është e barabartë me disa miliona dollarë.

Metoda e shqyrtimit shkencor, paanshmëria, korrektësia, pedantëria, analizat dhe studimet e nduarduarshme, qofshin ato paleografike, diplomatike, onomastike, toponomastike apo të tjera, edhe sot e kësaj dite janë të patejkaluara. Një gjë të tillë, ia mundësonte kultura e gjerë, njohja e gjuhëve të shumta, vullneti dhe këmbëngulja që e vërteta çdo herë të ngadhnjejë, edhe në ato raste kur ajo është në favor të të dobtëve dhe kur ajo nuk u pëlqen të fortëve.

Edhepse është shkruar se dr. Milan Shuflaj nuk ka shkruar shumë, e vërteta është krejt ndryshe. Punimet dhe studimet e tij janë të shpërndara nëpër gazeta dhe revista të kohës, por edhe ato të botuara si në libra të veçantë. Ata i njohin vetëm një numër i vogël specialistësh dhe studiuesish, ndërsa masa e gjerë e lexuesve nuk kanë njohuri për ekzistencën e tyre. Sipas disa informacione të fundit, opusi krijues i Shuflajt, duke llogaritur gjithçka që ka botuar gjatë kohës që ishte gjallë, arrin në më shumë se tre mijë zëra bibliografikë.
 
Shuflaj paraqet kulturën shqiptare në një shkallë të lartë zhvillimi në mesjetë, me një traditë të vazhduar që nga antikiteti
 
Në bazë të studimeve dhe analizave të posaçme, të bëra pas hulumtimit dhe zbulimit të lëndës arkivore, Shuflaj, paraqet kulturën shqiptare në një shkallë të lartë zhvillimi gjatë periudhës së mesjetës, duke mbrojtur teorinë se kjo kulturë ishte më e afërt me Bizantin dhe Dalmatët, se sa me sllavët e ngulur në Ballkan dhe se kishte një traditë të pasur që nga kohët më të lashta. Kontributi i tij në këtë drejtim është i argumentuar dhe ka themele të forta shkencore.

Në trajtimin e çështjes së ngritjes së dinastëve shqiptarë në Shqipërinë e Veriut dhe problemin e gjenezës së tyre, kontributi i dr. Shuflajt është se e zbërthen atë në atë mënyrë, që duke gjetur lidhje të ndryshme farefisnore, të gjakut apo martesore me bujarët fqinj, malazes, kroatë, grekë, maqedonas, bullgarë apo serbë, vë në pah një ndikim të caktuar në organizimin e strukturës shtetërore shqiptare dhe në institucionet e tjera që kishin një traditë të gjatë në këto treva.

Krahas kësaj ai trajton edhe problemin e institucionit të notariatit, të cilin e analizon që nga zanafilla e tij nëpër qytet bregdetare shqiptare, duke tërhequr një paralele në mes zhvillimit të këtij institucioni në Italinë veriore dhe Dalmaci në njërën anë dhe në Italinë jugore dhe në trojet shqiptare në anën tjetër, studim ky, që deri tani ka mbetur i vetmi në këtë lëmi.

Duke analizuar njësitë politike dhe ato territoriale-gjeografike, sipas të dhënave burimore arkivore, dr. Shuflaj e shqyrton problemin e gërshetimit të elementeve perëndimorë dhe lindorë në nomenklaturën topografike të Shqipërisë, duke tejkaluar kështu tezat e vjetëruara dhe të njëanshme gjoja “shkencore”, mbi influencën eskluzive të Perëndimit apo Lindjes në trevën e Ballkanit, duke arritur kështu në përfundim të ri shkencor, sipas të cilit në këtë hapësirë gjeografike kemi të bëjmë me influenca të gërshetuara pa ndonjë dallim të favorizuar në llogari të njërit apo tjetrit ndikim. 

Prejardhjen ilire të shqipes e të shqiptarëve, Shuflaj e dëshmon me argumente shkencore ndër të tjera edhe me praninë e emrave të vendeve, krahinave dhe vëllazërive të cilat i trajton si emra ilirë, e që mund të zbërthehen me brumin gjuhësor të shqipes. Në anën tjetër shpreh mendimin se shqipja është një idiomë e ilirishtes dhe fazë e re e një të folmeje të moçme ilire, ngase shqiptarët jetojnë aty, ku në kohë të lashta kanë jetuar ilirët dhe ishin në këto treva, pa asnjë dyshim, para dyndjes së sllavëve.

Edhe në studimet e tjera të dr. Milan Shuflajt bie në sy pasuria e madhe e materialit burimor faktologjik, por disi kanë mbetur anash pa u analizuar dhe shqyrtuar sa duhet, faktorët ekonomikë dhe shoqërorë dhe ndikimi i tyre. Historia e shqiptarëve është për të kryesisht historia e një etniteti etnokulturor të dalluar, me rrënjë të lashta autoktone e vazhdimësi të pandërprerë, me një aftësi të jashtëzakonshme rigjeneruese e cila paraqet thelbin autentik të historisë së Ballkanit në përgjithësi, e asaj shqiptare në veçanti.
milan shuflaj
































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni punën e qeverisë gjatë vitit 2024?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Durrës, gjendet i pajetë 82-vjeçari në banesën e tij, i moshuari kishte prerje thike në fyt! Policia nis hetimet, sekuestrohen pamje filmike

E rëndë në Durrës, gjendet i pajetë 82-vjeçari në banesën e tij, i moshuari kishte prerje thike në fyt! Policia nis hetimet, sekuestrohen pamje filmike