Zërat për një rikthim të Thiago Silvës te Milani marrin gjithnjë e më shumë formë. Pas raportimeve të “La Repubblica”, nga Brazili vijnë konfirmime se mbrojtësi 41-vjeçar dëshiron të ndërpresë kontratën me Fluminense, e vlefshme deri në qershor 2026, që këtë dhjetor, për t’u rikthyer kështu në Evropë.
Arsyeja kryesore, familja
Sipas “O Globo”, Thiago Silva ka shprehur qartë dëshirën për të luajtur edhe një sezon të fundit afër familjes së tij, e cila jeton në Londër. Fëmijët e tij janë pjesë e akademisë së Chelseat, ndaj dëshira për të qenë më pranë tyre peshon më shumë se çdo aspekt sportiv. Fluminense nuk pritet të pengojë largimin e tij dhe vendimi mund të komunikohet së shpejti.
Milan në horizont
Braziliani nuk përjashton asnjë ofertë dhe mes tyre mund të jetë pikërisht Milani, ku ai luajti mes viteve 2009-2012, duke fituar një kampionat dhe një Superkupë të Italisë. Klub ku ai mbetet ende shumë i lidhur emocionalisht.
Silva kërkon të mbyllë karrierën afër familjes, qoftë në Itali, Francë apo Angli, mjafton të mund të udhëtojë rregullisht për të qenë pranë të afërmve. Plani afatshkurtër është i qartë, edhe maksimum 3 vite futboll aktiv, e më pas nisja e karrierës si trajner, fillimisht në një akademi të rinjsh ose në një klub më të vogël.
Botërori 2026, një ëndërr e largët
Një rikthim në Europë mund të ushqente deri diku ëndrrën e tij të fundit si lojtar, pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2026, të pestën në karrierë. Por ky objektiv duket i paarritshëm. Carlo Ancelotti, trajneri i Brazilit, nuk e ka grumbulluar asnjëherë, pavarësisht se ka provuar 42 lojtarë që prej nisjes së punës. Edhe deklaratat e fundit të Ancelottit nuk lënë shumë hapësirë.
“Kam besim të madh te kjo skuadër, te këta lojtarë dhe në këtë ambient. Janë profesionistë, patriotë dhe kanë shumë dashuri për fanellën.”
Rikthim sentimental dhe praktik
Thiago Silva do të vlerësojë çdo mundësi së bashku me familjen. Por një gjë është e qartë, ai dëshiron të mbyllë karrierën në Evropë. Dhe Milani, klubi ku ai u bë i madh, është një mundësi reale.
Komente






