Pas 27 ndeshjesh, 304 ditësh dhe 10 muajsh Milani humbet një ndeshje në Serinë A. Kuqezinjtë humbën duelin e titullit ndaj Juventusit 3-1 por mbeten sërish në kryesimin e Serisë A pasi Interi nuk përfitoi dot. Kampionët në fuqi të Italisë ngritën kokë në “San Siro” dhe treguan se janë sërish favorit kryesor për titullin kampion. Pavarësisht mungesave në të dy ekipet për shkak të Covid ndeshja dhuroi spektakël dhe fraksioni i parë u mbyll në barazim me golat e Chiesa-s dhe Calabria. Miqtë nga Torino ishin më të fortë dhe e fituan ndeshjen në pjesën e dytë ku Federico Chiesa kompletoi dygolëshin personal dhe një tjetër gol e shënoi McKennie që mbylli llogaritë. 7 pikë larg kreut është Juventusi por me një ndeshje më pak.
Spezia surprizoi Napolin duke e mundur 2-1 në stadiumin “Diego Armando Maradona” .Vendasit kaluan të parët në avantazh me Petagna por miqtë i befasuan me golat e Nzola dhe Pobega.
Leo Messi udhëheq Barcelonën drejt vendit të tretë në La Liga. Katalanasit e fituan 3-2 ndeshjen e prapambetur të javës së dytë ndaj Athletic Bilbaos ku kapiteni shënoi dy gola shumë të bukur ndërsa golin e parë e kishte realizuar talenti Pedri. Vendi i tretë për Barcelonën dhe shpresat për titull ringjallen.
Do të jetë Tottenham-Manchester City finalja e Carabao Cup në Angli që do luhet më 25 prill. Skuadra e Pep Guardiolës fitoi 2-0 mbrëmë derbin ndaj United në “Old Traford” dhe fluturoi në finale. Golat u shënuan nga Stones dhe Fernandinho në pjesën e dytë./Përgatiti Andi Kapxhiu