Milani fitoi 2-1 ndaj Sassuolos në transfertë dhe kualifikohet matematikisht në Europa League për sezonin e ardhshëm por direkt në grupe apo nëpërmjet play-off kjo mbetet për t’u parë. Njeriu kopertinë është gjithmonë Zlatan Ibrahimovic autor i të dy golave në Mapei Stadium që të dy në pjesën e parë.
Në minutën e 19-të Ibra shënon me një gjuajtje me kokë por më pas Sassuolo do të barazonte me penallti me sulmuesin Caputo. Gjithsesi Ibrahimovic e gjen golin e fitores në limitet e pjesës së parë dhe siguron fitoren e radhës për kuqezinjtë që në pritje të ndeshjes së Romës mbajnë vendin e pestë.
Por lajmet e mira nuk mbaronin këtu. Milani ka komunikuar edhe zyrtarisht se i ka rinovuar kontratën edhe për dy vite të tjera trajnerit Stefano Pioli deri në vitin 2022. Drejtuesit kanë vlerësuar punën e tij dhe vetë tekniku ndihet krenar për besimin që i është dhënë. Largohet përfundimisht hija e Rangnick.
Ndërsa Atalanta ka vuajtur shumë ndaj Bologna-s por ka fituar 1-0 me golin e Muriel dhe ngjitet në vend të dytë në kampionat. Sot zbresin në fushë Napoli, Interi e Roma./ Përgatiti Andi Kapxhiu