Juventus ka turpëruar AC Milan në finalen e Kupës së Italisë duke triumfuar me rezultatin e thellë 4-0 në Olimpico të Romës. Ishte një ndeshje me shumë ritëm dhe emocionuese deri në momentin e golit të parë të Juve-s, që i dha një goditje të rëndë psikologjike skuadrës së Gatusso-s dhe më pas golat e tjerë erdhën si pasojë e dy gabimeve të Donnarumma-s dhe autogolit të sulmuesit Kalinic.
Kjo është dopieta e katërt kampionat/kupë radhazi për Juventus. Ndeshja ishte me një ritëm të lartë dhe ishte Milan që mori iniciativën në minutat e para të ndeshjes duke krijuar disa mundësi të mira por që u tregua i pasaktë përpara portës së Buffon.
Juventus nuk shfaq rrezikshmëri në portën e Donnarumma-s në asnjë moment të pjesës së parë, por pas pushimit ndryshon gjithçka. Duhej një goditje këndi që Benatia e shfrytëzon në mënyrë të përsosur për të zhbllokuar rezultatin dhe Juventus.
Më pas ishin dy gabime trashanike të një portieri që fiton 6 milionë euro në sezon, njëherë ai gabon në golin e Douglas Costa dhe herën e dytë te goli i Benatia, i cili shënoi një dopietë sikur të ishte një qendërsulmues ditën e sotme.
Në minutën e 76’ vuloset turpi historik i Milan teksa Kalinic, i cili ishte futur në pjesën e dytë, shënon në portën e tij me kokë pas një goditje këndi. Kaq mjaftonte për Juventus dhe kjo ndeshje do të mbahet mend gjatë nga tifozët torinezë pasi ka ardhur ndaj një rivali historik me një rezultat të pabesueshëm.