5 fitoret radhazi duken një kujtim i largët për Milanin që pas humbjes në derbi kundër Interit, pasi “djalli” është mposhtur sërish këtë javë nga Sampdoria. Në “Luiggi Ferraris” të Xhenoas vendasit triumfuan me rezultatin minimal 1-0, falë golit të realizuar nga Defrel që në minutën e parë.
Më saktë ishte një gafë e portierit Donnarumma i cili gaboi plotësisht në largimin e topit të kthyer pas nga Romagnoli. Një humbje që përveç moralit ka ndikim të rëndësishëm edhe te pikët, pasi Milani do ishte mjaft i rrezikuar në rast të fitores së Romës.
Ndërkohë ndryshe nga Milan, Juventusi nuk di të ndalet. Edhe pse pa Ronaldon e dëmtuar në fushë bardhezinjtë kanë kaluar minimalisht 1-0 Empolin. Në “Allianz Stadium” spektakël dhuroi edhe një herë tjetër 19-vjeçari Kean, i cili realizoi gol 3 minuta pasi hyri në fushë. Mandzukic uli një top të bukur me kokë në zonë dhe sulmuesi i kombëtares italiane nuk gaboi.
Me këtë fitore Juventusi afrohet akoma më shumë edhe matematikisht me titullin e 8 radhazi.