ITALI - Ylli amerikan i patinazhit artistik, Ilia Malinin (21 vjeç), humbi podiumin pas një gare të dobët në patinazhin e lirë në Lojërat Olimpike Dimërore 'Milano Cortina 2026', mbrëmjen e të premtes. Performanca tronditëse e Malininit përfshinte dy rënie dhe disa gabime teknike, duke u pozicionuar në vendin e tetë të renditjes. Malinin grumbulloi 264.49 pikë.
Ishte Mikhail Shaidorov i Kazakistanit që fitoi medaljen e artë në garën e patinazhit të lirë për meshkuj, ndërsa Yuma Kagiyama dhe Shun Sato të Japonisë u renditën në vendin e dytë dhe të tretë.
Malinin, i njohur edhe si “Zoti i Katërfishtë”, kishte një epërsi prej pesë pikësh ndaj Yuma Kagiyama të Japonisë dhe Adam Siao Him Fa të Francës pas programit të shkurtër, por në fund gabimet i kushtuan shumë.
Malinin ka qenë i pamposhtur për më shumë se dy vjet, një seri prej 14 fitoresh radhazi në gara të plota. Kjo përfshin katër kampionatet e fundit të SHBA-së, dy titujt e fundit botërorë dhe një mori rekordesh botërore, më e rëndësishmja, rekordi më i mirë ndonjëherë për një patinazh të lirë, një rezultat prej 238.24 pikësh që e shtyu atë drejt një fitoreje në finalen e Grand Prix në dhjetor.
Ilia Malinin u kthye në fenomenin e këtyre Lojërave, pasi shtyu ekipin e SHBA-së drejt medaljes së artë olimpike ekipore, kur bëri një lëvizje të guximshme rrotulluese pas në pistë, gjë që ishte ndaluar prej 48 vitesh.
Të gjithë prisnin që në garën e të premtes ai të merrte medaljen e artë dhe pse jo të bënte 'lëvizjen Axel' në Olimpiadë, gjë shumë e vështirë teknikisht që ai e zotëron dhe e ka ekzekutuar në disa kampionate.
Pas garës, Malinin tha se presioni i Lojërave Olimpike dhe mendimet negative që e pushtuan para garës bënë të vetën.
"Sigurisht që nuk është si asnjë garë tjetër. Janë Lojërat Olimpike. Thjesht nuk e përballova. Të jesh shpresëplotë për medaljen e artë olimpike është me të vërtetë shumë për t’u përballuar, veçanërisht për moshën time.
Presioni i Lojërave Olimpike të kap vërtet. Njerëzit thonë se ekziston një mallkim olimpik, se favoriti për medaljen e artë olimpike do të bëjë gjithmonë patinazh të keq në Lojërat Olimpike", tha Malinin pas garës.
Komente






