Inter është kampion i Italisë për herë të 21. Zikaltërit ia dolën të siguronin matematikisht titullin kampion në Seria A falë fitores 2-0 të arritur kundër Parmës në San Siro. Të besuarit e Chivu realizuan nga një gol në secilën pjesë. Fillimisht zhbllokoi Marcus Thuram, ndërsa në pjesën e dytë titullin e vulosi Henrik Mkihtaryan. 3 javë nga fundi i kampionatit Interi kryeson me 12 pikë më shumë se Napoli i vendit të dytë.
Vërshëllima e trefishtë e arbitrit solli edhe shpërthimin e festës në San Siro. Për herë të parë në 37 vite zikaltërit sigurojnë titullin në ‘tokën e tyre’. Futbollistë, stafi dhe drejtuesit e klubit përshëndesin tifozët në çdo kënd të stadiumit.
Për 30 minuta kishte këngë elektrizuese në San Siro, ndërsa më pas festa u zhvendos Sheraton San Siro, selia tradicionale e tregut të transferimeve. Rreth orës 2 të mesnatës disa prej futbollistëve, përfshirë kapitenin Lautaro Martinez, Thuram, Barella dhe mbi të gjitha Dimarco-n ndezën turmën në sheshin Duomo të Milanos. Festë e madhe zikaltër për titullin numër 21 në histori në një kohë kur në fillim të sezonin kishte shumë pikëpyetje.
Për t’u theksuar se titulli i Interit erdhi në sezonin e parë të Christian Chivu si trajner.
Komente








