Një miliarder egjiptian ka propozuar zgjidhjen e tij për krizën e emigrantëve në Europë. Ai ka menduar të blejë një ishull mesdhetar ku mund të strehohen të gjithërefugjatët që ikin nga Siria dhe vende të tjera. Naguib Sawiris, i cili besohet të ketë një pasuri me vlerë 2.9 miliardë dollarë, njoftoi idenë e tij në Twitter këtë javë.

"Greqi apo Itali, më shisni një ishull, unë do të deklaroj pavarësinë e tij, do të pres emigrantët dhe do të siguroj vende pune për ta duke ndërtuar vendin e tyre të ri." Ai shtoi: "Ide e çmendur ... Ndoshta, por të paktën përkohësisht, derisa ata të mund të kthehen në vendet e tyre ?!!"

Në një intervistë të mëvonshme, ai tha: "Sigurisht që është e mundur. Ju keni dhjetra ishuj që janë të shkretuar dhe mund të strehojnë qindra mijëra refugjatë ". Ai vlerësoi që një ishull i Greqisë ose i Italisë mund të kushtojë midis 10 milionë dhe 100 milionë dollarë, por theksoi se gjëja kryesore është investimi në infrastrukturë. Sawiris pranoi se plani ka sfidat e veta - duke përfshirë nëse Greqia ose Italia do të mund të binden për të shitur një ishull, si dhe rregullimin e juridiksionit dhe rregullave doganore. Por ai këmbënguli se refugjatët që do të vijnë tek ai do të trajtohen si "qenie njerëzore", pasi deri më tani janë trajtuar si kafshë. Në intervistën e tij për CBC ai tha: "Asnjë person i arsyeshëm dhe me integritet nuk do të shikonte lajmet dhe të vendoste të mos merrte asnjë masë."

Një ide e tillë, e cila bëri shumë bujë, është propozuar edhe disa muaj më parë nga biznesmeni Jason Buzi nga Izraeli, por ajo u refuzua nga një ish-këshilltar i lartë për qeverinë australianë, i cili thoshte se ideja është e ngjashme me trajtimin e refugjatëve si "lebrozë". 
miliarderi
Redaksia Online
(m.p/shqiptarja.com)