Milto Kutali në Metropol
“Kënaqësia e tradhëtisë”

Milto Kutali në Metropol<br />“Kënaqësia e tradhëtisë”
TIRANË - Komedia “Kënaqësitë e tradhëtisë”, do të shfaqet këtë fundjavë në sallën “Çehov” në Qendrën Kulturore “Tirana” (Teatri i Metropolit). Vepra e autorit rus, Valentin Krasnogorov, e përkthyer nga Mehmet Xhelili, do të vijë në skenë nën konceptin regjisorial të Najada Elmazit, e cila ka përzgjedhur tre histori teatrore që përfaqësojnë skena të ndryshme nga jeta e një çifti të dashuruarish. Personazhet në këtë vepër interpretohet nga aktorët e njohur Eftiola Laçka dhe Helidon Fino.
Historitë e shkurtra teatrale mund të shfaqen veç e veç ose së bashku si një shfaqje shumëaktëshe e përbërë nga dy deri në katër histori. Janë 7 tregime, nga të cilat janë përzgjedhur vetëm tri prej tyre. Dialogu i thjeshtë, historitë paradoksale dhe komike, situatat pothuajse absurde dhe në të njëjtën kohë, lirizmi i thellë, e mbajnë spektatorin në një tension të vazhdueshëm dramatik deri në batutën e fundit. Në çdo akt është një burrë, një grua, një dekor interier. Sipas zgjedhjes që mund të bëjmë të gjitha tregimet mund të luhen, ose nga të njëjtët artiste, ose nga artistë të ndryshëm. Ato janë shumë të ndryshme në zhanër, në stil apo humor.
***
Tema, që i bashkon këto histori është "kënaqësia" e tradhëtisë bashkëshortore. Eshtë një lloj enciklopedie absurde e shkeljes së kurorës, e sjellë në formën e farsës. Vjen plot humor, e pamëshirshme dhe frenetike në shpërthimin e së qeshurës së saj. Në pjesë janë vetëm dy aktorë. - Ai dhe Ajo, ata nuk janë karaktere të përcaktuar. Në fakt, cili është ai? Dhe kush është ajo? Cilat janë marrëdhëniet e tyre? Sa vjeç janë karakteret? Çfarë përvoje kanë? Ku janë "njollat dhe vijat" që i dallojnë ata nga njerëzit e tjerë dhe që u japin atyre karakter, personalitet? Këto pyetje nuk kanë marrë përgjigje. Ne nuk dimë as emrat e tyre. Por gjëja kryesore është se të dy kanë rënë në dashuri dhe janë duke u ballafaquar papritmas me nevojën për të marrë menjëherë vendime me rëndësi jetike për ta. Pashmangshmëria e këtij vendimi i tmerron aq shumë sa e çon tendosjen e nervave të tyre deri në skaj. Fjalë e tyre janë boshe, ata marrin pozicion hetues ndaj njëri-tjetrit, pretendojnë se midis tyre nuk ka asgjë serioze, asgjë për të cilën do t’ia vlente që jeta e tyre të ndryshonte në mënyrë drastike, ata ende nuk besojnë as në kuptimin e kësaj gjëje, as, sidomos, në kuptimin e një tjetre, të dy në pritje që tjetri të marrë vendimin i pari, ata provokojnë njëri-tjetrin që të marrin një vendim të tillë, ndërkohë që vetë shmangen duke u larguar. Por momenti vendimtar po afrohet pa u ndalur ... A jemi ne në gjendje të veprojmë ose të kryejmë tradhëti ndaj tjetrit dhe ndaj vetes sonë? Kush prej nesh nuk është përballur me nevojën për të bërë një zgjedhje të tillë?
***
Valentin Krasnogorov është mjeshtër i paradoksit. Ai, krijon me shkathtësi intrigën, që nga minuta e parë e veprimit dhe e mban audiencën pezull deri në fund të aktit të fundit. Është e vështirë të parashikohet se cili është rezultati i një historie apo i tjetrës, - ato janë të paparashikueshme. Gjithcka duket sikur mbaron me një “happy end” por që në fund i përmbys të gjitha pritshmëritë dhe shpresat tona. Dhe anasjelltas - nga hiri, papritur, bën të rritet një lule të bukur. Dhe gjëja më e çuditshme – edhe pse në situata shumë të pamundura, personazhet gjenden shumë afër jetës dhe realitetit tonë. Ndoshta këtu qëndron suksesi i pjesëve të Valentin Krasnogorovit. Dhe fakti është se ai kurrë nuk bën leksion, as moralizon. As në ndonjë formë të kamufluar. As në ndonjë formën që nënkuptohet. Ai është magjepsës. Si të fitosh mbi çiltërsinë njerëzore dhe hapjen e shpirtit? “Kënaqësitë e tradhëtisë” do të zgjas rreth një orë e gjysmë dhe do të shfaqet për tri netë, në datën 20, 21 dhe 22 janar.


(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi