Min e Kulturës shtyn papritur
rivarrimin e Kodrës. Jo 12 shkurtPDF ekskluzive/Testamenti i piktorit

Min e Kulturës shtyn papritur<br />rivarrimin e Kodrës. Jo 12 shkurtPDF ekskluzive/Testamenti i piktorit
Debatet e shumta gjatë ditëve të fundit apo edhe rezistenca e banorëve të Ishmit, e cilësuar nga Ministria e Kulturës si e paarsyeshme dhe e padrejtë duket se kanë detyruar  krerët e fondacionit “ Ibrahim Kodra” dhe vetë Ministrinë që të reflektojë dhe njëherë mbi zvarrosjen e eshtrave të piktorit Ibrahim Kodra nga memoriali në Ishëm për t’u sjellë në Kodrat e Liqenit në Tiranë.

Shumë u diskutua mbi amanetin e fundit të mjeshtrit të madh në lidhje me vendin e varrimit, por Ministria e kulturës njofton këtë të enjte përmes një deklarate për mediat se me kërkesë të ekzekutorëve testamentarë të Kodrës, vendimi  i cili ishte përcaktuar  me datë 12 shkurt, shtyhet për një datë të mëvonshme.

“Ekzekutorët testamentarë kërkojnë të vlerësojnë momentin më të pjekur për të proceduar me amanetin e mbramë të Mjeshtrit për t’u prehur në Tiranë, ose në Durrës.,” thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Shkak për këtë shtyrje, sipas Ministrisë së Kulturës është bërë rezistenca e banorëve të Ishmit.

“Megjithë bisedimet disa ditore të zëvendësministrit të Ministrisë së Kulturës, të përfaqësuesve të ekzekutorëve testamentarë si dhe angazhimit të deputetëve të zonës, si pasojë e keqkuptimeve, keqinformimeve dhe keqpërdorimeve për rastin në fjalë, një grup banorësh krijuan një rezistencë të paarsyeshme dhe të padrejtë për procedurat ligjore të përmbushjes së amanetit të fundit të Maestros. Ky qëndrim i paarsyeshem, e pamundësoi përkohësisht realizimin e amanetit dhe nderimin e Maestros në një monument të ri në Tiranë, veç atij ekzistuesit në Ishëm,” sqarohet në njoftimin për shtyp.

Por pavarësisht kësaj, Ministria e Kulturës thotë: Qeveria mbetet e vendosur të përjetësojë figurën e Mjeshtrit, duke përmbushur plotësisht amanetet e tij që parashikojnë edhe themelimin e një Qendre Kulturore për fëmijë. Qeveria mbetet e vendosur të realizojë edhe në Ishëm pllakën përkujtimore, me qëllimin të ruajë emrin e Ishmit, si vendlindja e Ibrahim Kodrës.
 
Njoftimi i plotë i Ministrisë së Kulturës
Ministria e Kulturës njofton se në vijim të kërkesës së fondacionit “Ibrahim Kodra” ceremonia në nderim të Mjeshtrit, Ibrahim Kodra, "Nder i Kombit" i cili do të prehet në Memorialin në Kodrat e Liqenit, shtyhet për një datë tjetër të mëvonshme. Ekzekutorët testamentarë kërkojnë të vlerësojnë momentin më të pjekur për të proceduar me amanetin e mbramë të Mjeshtrit për t’u prehur në Tiranë, ose në Durrës.

Fondacioni “Ibrahim Kodra” përjetësues të vullnetit të Mjeshtrit Kodra, në nismën e tij për plotësimin e vullnetit të Maestros paraqitur në Ministrisë e Kulturës, theksonte rëndësinë e promovimit të vlerës së artistit dhe të njeriut. Me kërkese të vazhdueshme të ekzekutorëve testamentarë të Maestro Ibrahim Kodrës, në kuadër të dhjetë vjetorit të vdekjes së tij, Ministria e Kulturës, autoritetet vendore, në përputhje me ligjet në fuqi, nisën një bashkëbisedim me komunitetin e Ishmit, për të mundësuar vendosjen e eshtrave në Tiranë, sipas vullnetit të tij.

Megjithë bisedimet disa ditore të zëvendësministrit të Ministrisë së Kulturës, të përfaqsuesve të ekzekutorëve testamentarë si dhe angazhimit të deputetëve të zonës, si pasojë e keqkuptimeve, keqinformimeve dhe keqpërdorimeve për rastin në fjalë, një grup banorësh krijuan një rezistencë të paarsyeshme dhe të padrejtë për procedurat ligjore të përmbushjes së amanetit të fundit të Maestros. Ky qëndrim i paarsyeshem, e pamundësoi përkohësisht realizimin e amanetit dhe nderimin e Maestros në një monument të ri në Tiranë, veç atij ekzistuesit në Ishëm.

Shteti Shqiptar nëpërmjet Ministrisë së Kulturës mori përsipër të organizonte ceremonialin protokollar të nderimit dhe promovimit të vlerave të Mjeshtrit, njohur botërisht si “Primitivi i fundit i një qytetërimi të ri”. Njohja e brezave me punën e mjeshtrit dhe atë çka ai bëri për vendin e tij është publike dhe me interes. Çdo debat tjetër mbi vullnetet e tij apo dëshirën se si ai donte të prehej mbeten interesa privatë, për të cilin askush nuk ka të drejtë të imponohet.

Ministria e Kulturës nuk është ekzekutore testamentare e dëshirave dhe vullneteve të Mjeshtrit, por ajo do të vazhdojë të marrë të gjitha nismat për të bërë të mundur që komuniteti i artistëve shqiptarë si dhe brezat e rinj të mund të përfitojnë nga gjenialiteti dhe bujaria e Mjeshtrit të Madh. Qeveria mbetet e vendosur të përjetësojë figurën e Mjeshtrit, duke përmbushur plotësisht amanetet e tij që parashikojnë edhe themelimin e një Qendre Kulturore për fëmijë, ashtu si edhe e ka shprehur në një nga poezitë e tij: “Kërkoj të mbjell në tokë/ filizin e parë/farën e parë të ardhmërisë”.

Arti i Kodrës është një mesazh paqeje. Qeveria mbetet e vendosur të realizojë edhe në Ishëm pllakën përkujtimore, me qëllimin të ruajë emrin e Ishmit, si vendlindja e Ibrahim Kodrës. Ibrahim Kodra është shqiptari i madh, që përjetësoi me Artin e tij buzëqeshjen e njerëzimit. Ai është figura që na bashkon të gjithëve dhe i tillë do mbetet dhe pas vdekjes.

Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Gratë e PD-së së Sali Berishës dhe Rajmonda, gruaja e Aleks Nikës, vrarë me 21 janar 2011

Gratë e PD-së së Sali Berishës dhe Rajmonda, gruaja e Aleks Nikës, vrarë me 21 janar 2011