Mina me sahat e pandershmërisë

Mina me sahat e pandershmërisë
"

Në serialin televiziv francez Le Bureau des légendes, ku shtjellohen ngjarje të jashtëzakonshme të shërbimeve inteligjente të vendeve më të mëdha e të rëndësishme të botës, ka disa seri e personazhë që të ngelen në mendje.

Veç faktit se si veprojnë këto shërbime sekrete, të bie në sy, se për të ruajtur stabilitetin, për të bërë që e mira në fund të fundit të mposhtë rrezikun dhe të keqen që gjithmonë kërcënon vende dhe popuj nga pushtetarë e individë të paskrupujt, rrugët e mënyrat për ta arritur këtë janë gjithnjë të vështira, me kompromise, me humbje, por përherë me një fokus të veçantë për shërbimet e vendeve perëndimore: Demokracinë dhe stabilitetin.

I gjithë seriali, që ende është në zhvillim, tregon se si disa njerëz që ekzistojnë, punojnë, përgjojnë, veprojnë, ndërsa mbarë bota nuk i njeh me identitetin e tyre të vërtetë, thurin interesa, situata, lajme, personazhë, karriera... ndërtojnë një botë paralele, si një rrjetë për të mbajtur në këmbë një tjetër botë konfliktesh, që mesa duket, pa këtë rrjetë të padukshme, do të rrëzohej mijëra herë.

Agjenti Guillaume Debailly, me pseudonimin "Malotru", është personazhi kryesor. Një agjent brilant, i talentuar, një 007 që rrezikon, fantazon, krijon, por luan edhe pis për të arritur qëllimet.

Ndërkohë nga një tjetër personazh, shefi i tij Henri Duflot, më i vjetër në moshë e disa herë në konflikt me "Malotru", autori i serialit përcjell një mesazh interesant. Ai flet për pandershmërinë si rrezik. Duflot thotë se shërbimet sekrete, agjentët sekretë, kalojnë një jetë të tërë në gënjeshtër: "Asnjë njeri tjetër nuk gënjen, thur intriga, krijon situata, më shumë se një agjent sekret", u thotë gjatë një mbledhjeje Henri Duflot agjentëve të skuadrës së tij, por... pikërisht për këtë arsye ne duhet të jemi gjithnjë të ndershëm. Pandershmëria, - thotë Duflot, - është si një minë me sahat, e cila nuk dihet se ku dhe kur do të shpërthejë, por pasojat e saj janë të pashmangshme e të paimagjinueshme për atë që vepron".

"Gënjeshtarë", por të ndershëm. Mesa duket kjo është një ekzistencë e hollë, që ndoshta, përmes shumë trajnimeve, fondeve dhe financimeve që vendet perëndimore kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë gjithë këto vite në Shqipëri, në Tiranë, duhet, të trajnuarve, t'ua mësojnë. Në Shqipëri, kush ka mundësinë (profesionale dhe ekonomike) për të punuar e për të informuar të huaj, ambasada, ojf të rëndësishme, për të bërë raporte, për të folur, "spiunuar" bashkëatdhetarë, duhet të mësojë të jetë i ndershëm. Por deri më tani, sipas punëve të tyre të dukshme, kjo rrallë është bërë. Informatorë, por të ndershëm, mesa duket bën diferencën mes një qytetari perëndimor e një vendi ende në zhvillim e në kërkim të vlerave, siç i yni, ende të jetë, vazhdon.    

"

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Luiz Ejlli gdhend në trup portretin e Luna Mari

Luiz Ejlli gdhend në trup portretin e Luna Mari