TIRANE- Minatorët kërkojnë të ulet mosha e pensionit në 55 vjeç, ndërkohë që shprehen se duhet të ketë rritje të pagave të tyre të cilat të shkojë deri në 70 mijë lekë të reja. Këtë kërkesë ata ia kanë drejtuar qeverisë në Konferencën Kombëtare të Minatorëve, duke theksuar se duhen marrë një sërë masash si nga qeveri ashtu edhe nga parlamenti.

Të mbështetur edhe nga sindikalistët ata i kanë bërë thirrje kryeministrit Edi Rama, por edhe përfaqësuesve të tjerë të politikës që të shqyrtojnë kërkesat, pasi shumë prej minatorëve humbin jetën në moshë shumë të re në nëntokë duke mos mundur ta përfitojnë pensionin e tyre. “Qeveria në mënyrë urgjente duhet të na plotësojë kërkesën tonë për të ndalë 55 vjeç në pension.

Kjo kërkesë duhej të ishte plotësuar prej kohësh. Qeveria, Parlamenti dhe politika duhet të na japë atë që na takon për vitet që kemi vuajtur nëntokë” tha Kalaja. Një kërkesë tjetër drejtuar, qeverisë ishte dhe ajo e mbështetjes me politika lehtësuese fiskale për kompanitë minerare që operojnë në vendin tonë. Vetëm në këtë mënyrë u shprehën sindikalistët do të krijohet një treg i konsoliduar në këtë fushë, por do të ketë edhe më shumë vende pune për njerëzit e nëntokës.

“Kompanitë që kanë pasuritë minerare në dorë tu krijojë të gjitha lehtësirat dhe kushtet që nga kreditë e buta e deri në sigurimin e tregjeve dhe nuk ka pse merret nga importi lënda minerare kur nëntoka shqiptare i ka ato dhe kompanitë i mbajnë në stok rezervë dhe nuk mund të kenë treg shitjeje për arsye të konkurrencës që i bëhet nga importi"-tha Kalaja. Kërkesë më e hershme e  sindikalistëve kanë qenë dhe kontrolli i minierave të braktisura, të cilat duhet të bllokohen që mos të rrezikohet jeta e njerëzve. 

Shkrimi u publikua sot (16.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com