TIRANË- Me një minutë heshtje për minatorët që kanë humbur jetën nën tokë ka nisur  punimet ditën e sotme, konferenca e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve. Fokusi kryesor i punimeve është ulja e moshës së pensionit për minatorët.
“Qeveria të marrë në shqyrtim kërkesën e minatorëve”, është shprehur kreu i Bashkimit të Sindikatave Gëzim Kalaja. Ai bëri apel që “sindikatat të bashkohen për të realizuar atë që u takon.”  “Të mendojmë për minatorët para firmosjes për koncesion”,- u shpreh Kalaja.
 
Ai kërkoi që qeveria të realizojë kërkesën e minatorëve.“Partitë të marrin në shqyrtim kërkesën e minatorëve. E drejta e grevës dhe e protestës është një e drejtë universale. Qeveria të realizojë kërkesën tonë të drejtë. Minatorët të dalin në pension në moshën 55 -vjeçare. Kombi të ketë respekt për punën e minatorëve”- u shpreh ai.

“Kërkesat tona të mundshme do të pranohen nga deputetët, Parlamenti dhe pse jo dhe opozita. Në emrin tuaj i bëj thirrje kryeminstrit Edi Rama, Parlamentit shqiptar dhe gjithë grupeve parlamentare, LSI, PS, PD dhe partive që kanë minorancën në përfaqësimin e deputetevë shqiptarë, që në mënyrë urgjente të marrin në shqyrtim kërkesën e gjithë minatorëve të Shqipërisë”, tha Kalaja.
 
Sipas tij kjo është kërkesë e gjithë minatorëve, pa asnjë ngjyrë dhe bindje politike.
 
“Sot janë bashkë me ne, përfaqësues të sindikatave të tjera, se kjo nuk është vetëm kërkesë e minatorëve, por është dhe për ata minatorë, të cilët nuk bëjnë pjesë në lëvizjen sindikale, por dhe për minatorët që bëjnë pjesë në sindikata të tjera. Buka që hamë ne të gjithë nuk është politike, nuk ka një ngjyrë”, ka theksuar kreu i Sindikatave të Shqipërisë, Kalaja.
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)