Shumë kompani morën të drejtën e shfrytëzimit, por edhe shumë individë kanë përvetësuar galeri duke i mbajtur me forcë dhe i shfrytëzojnë pa lejen nga shteti.
Pikërisht kjo jashtligjshmëri ka bërë që numri i krimeve për shkak të konflikteve për kromin, të rritet. Rasti më i fundit është tritoli i vendosur biznesmenit të kromit Rexhep Losha, që fatmirësisht përfundoi pa të lënduar.
Sipas të dhënave zyrtare, numri i viktimave për shkak të konflikteve për kromin është mbi 10. Në dhjetor të 2014-ës më Tiranë u ekzekutua Shkëlzen Leka. Policia tha se shkak për këtë ngjarje dyshohen konfliktet për biznesin e kromit në Bulqizë. Kjo vrasje, u lidh me ekzekutimin e muajit prill të 2014-ës të Gjin Nikës, i cili ishte zotërues i disa prej galerive të kromit në zonën e Bulqizës. Në këtë ngjarje mbeti i vrarë edhe Fabio Xhunga. Edhe për këtë ngjarje, shkak ishte konflikti për kromin. Po në 2014, policia arrestoi 2 biznesmenë të kromit, të cilët u akuzuan se për shkak të konflikteve për biznesin u kishin bërë disa herë atentat kundërshtarit të tyre, Arben Duriçit. Në 17 janar të 2014-ës u ekzekutua biznesmeni Hasan Talja.
Edhe për këtë vrasje shkak është bërë konflikti për kromin në Zonën D në Bulqizë. Pak muaj më herët, në shtator të 2013-ës gjendet i vetëvrarë brenda në makinën e tij biznesmeni i kromit në Bulqizë, Shkëlqim Mullai, për këtë ngjarje rrethanat ishin pak të paqarta ndaj dhe u hetua edhe pista e vrasjes. Pak ditë para kësaj vetëvrasjeje në Bulqizë u ekzekutua edhe Qerim Marku, 40 vjeç, pronar i disa galerive në Zonën D, njëkohësisht person i njohur si problematik dhe me konflikte të shumta, ndërkohë që i plagosur ka mbetur dhe Sami Smeli, 60-vjeç. Në prill të 2013-ës, në Bulqizë u vra 40-vjeçari Shefqet Shehu, ndërsa i plagosur mbeti vëllai i tij Vehab Shehu, kjo ngjarje erdhi si pasojë e një konflikti për kromin ën vitin 2009 me familjen Tërnova.
Në vitin 2011, është shënuar edhe rasti i parë i konflikteve për kromin, vetëm 2 vjet pasi këto galeri po u jepeshin në shfrytëzim privatit. Ilirjan Jangulli ka qëlluar me breshëri automatiku mbi Fehmi Kërçunin, i cili gjeti vdekjen e menjëhershme dhe Shpëtim Rekën dhe Eleonard Ndreun, të cilët mbetën të plagosur. Sipas policisë, kjo ngjarje erdhi si pasojë e përplasjes së disa fiseve për biznesin e kromit. Po në 2011-ën në zonën e ish-bllokut në Tiranë u vra Nadien Zeneli dhe plagosen dy shokët e tij. Viktima ishte nga Bulqiza dhe jetonte në Tiranë, por me aktivitet në fushën e kromit. Këto ngjarje kanë përfunduar me viktima, por nga policia janë regjistruar edhe dhjetëra atentate të tjera me të plagosur apo pa të lënduar, ku shkak ka qenë biznesi i kromit.
Redaksia online
(s/shqiptarja.com)
