Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë do të mirëpresë më 18 shkurt Ministerialin e Korridorit VIII, me fokus  avancimin e bashkëpunimit strategjik në fushën e ndërlidhjes, qëndrueshmërisë dhe integrimit rajonal.

Sesioni ministror nis në orën 10.00 në Pallatin e Brigadave dhe do të drejtohet nga Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, me pjesëmarrjen e delegacioneve të kryesuara nga Antonio Tajani, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Italisë; Timčho Mucunski, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut; Oana-Silvia Țoiu, Ministre e Punëve të Jashtme e Rumanisë; si dhe Nikolay Pavlov, Zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Bullgarisë.

Diskutimet do të fokusohen në avancimin e Korridorit VIII si një bosht strategjik për ndërlidhjen europiane, zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal, duke forcuar njëkohësisht rolin e tij në qëndrueshmëri, mobilitet ushtarak dhe ndërveprueshmëri midis Bashkimit Europian dhe NATO.

Axhenda
Mbërritja dhe doorstep 09:45 - 09:55
Seanca Plenare: “Korridori VIII në momentin strategjik të Evropës: Lidhshmëria, qëndrueshmëria përmes lëvizshmërisë ushtarake dhe prosperiteti i përbashkët përmes integrimit.”  10:00 - 11:00
Foto familjare 11:00 - 11:15
Konferencë për shtyp - 11:40 - 12:20 - Salla Nr.1 (në të djathtë të Sallës plenare – Salla “Skënderbeu”).
Në kuadër të këtij aktiviteti do të zhvillohet gjithashtu Forumi Ekonomik i nivelit të lartë “Ndërlidhja Strategjike dhe Rritja Ekonomike Rajonale: Potenciali Ekonomik i Korridorit VIII”.
Ky forum do të mbahet në ambientet e Bankës së Shqipërisë (ish-Hotel Dajti). Forumi është i konceptuar në katër panele tematike dhe do të zhvillohet nga ora 11:30 deri në orën 16:00.