Integrimi ekonomik i Ballkanit Perëndimor dhe afrimi me tregun europian ishin në qendër të Ministerialit Ekonomik të Procesit të Berlinit, që u mbajt në Cetinjë të Malit të Zi.
Në takim morën pjesë ministrat e Ekonomisë të gjashtë vendeve të rajonit, përfaqësues të Komisionit Europian dhe institucioneve financiare ndërkombëtare. Shqipëria u përfaqësua nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.
Gjatë diskutimeve, Ibrahimaj tha se bashkëpunimi rajonal duhet të japë rezultate konkrete për bizneset dhe qytetarët, duke theksuar se tashmë fokusi duhet të kalojë nga nënshkrimi i marrëveshjeve te zbatimi i tyre.
“Prioriteti ynë duhet të jetë i qartë: të kalojmë nga angazhimet te zbatimi dhe nga marrëveshjet te rezultatet e matshme për bizneset dhe qytetarët”, u shpreh ajo.
Ministrja prezantoi edhe prioritetet e drejtimit shqiptar të CEFTA-s, që këtë vit shënon 20-vjetorin e marrëveshjes. Sipas saj, fokusi do të jetë te lehtësimi i tregtisë, zgjerimi i Korsive të Gjelbra, harmonizimi i procedurave në pikat kufitare dhe ulja e kostove për bizneset.
Ibrahimaj tha se suksesi i integrimit rajonal nuk duhet të matet me numrin e marrëveshjeve, por me përfitimet konkrete që ato sjellin për ekonominë.
Ajo u ndal edhe te procesi i integrimit europian, duke theksuar se Tregu i Përbashkët Rajonal nuk është alternativë ndaj anëtarësimit në Bashkimin Europian, por një instrument që ndihmon për ta përshpejtuar këtë proces.
Sipas ministres, Shqipëria është vendi me performancën më të mirë në rajon për zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Në fund të fjalës së saj, ajo ftoi ministrat dhe partnerët ndërkombëtarë në Tiranë, në aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër të 20-vjetorit të CEFTA-s.










Komente
Komento