Ekonomia pritet të pësojë një ngadalësim në këtë tremujor të fundit të vitit dhe të rritet më pak se objektivi i qeverisë. Përtej pasigurive gjeopolitike që deri më tani janë përcjellë në rritje të kostove, sidomos të ushqimeve dhe karburantit, ndikim negativ sipas qeverisë do të japin edhe protestat e dhunshme.
Në Komisionin e Ekonomisë, ministrja Delina Ibrahimaj teksa iu përgjigj pyetjeve të deputetëve, deklaroi se ekonomia do të ketë ngadalësim prej protestave, dhe dëmtimit të bizneseve.
“A mund të na shpjegoni ju shprehjen “mrekullia ekonomike shqiptare që ka thënë lideri juaj global” për këtë buxhet në një kohë kur rritja ekonomike këtu parashikohet 3.9% nga 4% që ka qenë vitin e kaluar”, tha Bujar Leskaj deputet i PD.
“Në këtë tremujor për arsye të protestave të dhunshme ne kemi pasur një efekt në ekonomi”, tha Ibrahimaj.
“Protestat qytetare nuk janë të dhunshme dhe nuk dëmtojnë biznesin privat. Për shkak të kësaj ne do të ndjejmë një ecuri më të ngadaltë të ekonomisë, sepse kemi biznese tëra të cilat po ndjejnë efektet e dhunës në protesta”, tha Ibrahimaj.
Përtej rritjes ekonomike, pjesa më e madhe e diskutimeve u përqendruan tek pensionet. Ministrja Ibrahimaj tha se është zgjedhur skema e mbështetjes me bonuse, për shkak se një rritje e pensionit bazë mund të rrezikonte buxhetin.
“Arsyeja pse nuk është e përfshirë në pensionin bazë është pikërisht sepse ne nuk duam që të ngremë një skemë e cila mund të shpërthejë në kosto dhe mund të jetë e papërballueshme për buxhetin e shtetit”, tha Ibrahimaj.
Ibrahimaj sqaron se në kuadër të reformës së re të pensioneve po shqyrtohet edhe mundësia që bonuset që do merren deri në 2029-ën, të mbeten pjesë e pensionit edhe pas mbarimit të skemës.
“Çfarë do të ndodhi në vitin 2030 e kështu me radhë”, pyet Braçe.
“Ne jemi akoma duke analizuar edhe me Bankën Botërore se si mund ta bëjmë këtë. Nuk është e lehtë. Numrat e pensionistëve janë në rritje. Sigurisht që synimi është që këto të reflektohen më tutje në një politikë të qëndrueshme me qëllim që të garantohet që të ardhurat e pensionistëve do vijojnë të rriten”, tha ministrja.
Deputeti i PS Erion Brace kërkoi rishikim të formulës së indeksimit, gjë që nuk përjashtohet as nga ministrja Ibrahimaj me qëllim që ata kanë pension më të ulët të marrin rritje më të madhe në indeksim.
“Edhe nga indeksimi përfiton ai që e ka pensionin më të lartë, ai që e ka pensionin më të ulët dhe që goditet më fortë nga inflacioni sesa ai tjetri. A keni menduar ju të ndryshojë kjo gjë?”, pyet Braçe.
“Unë personalisht mund të angazhohem që ta filloj një studim të tillë dhe të shohim pastaj se si është forma më e mirë për ta bërë këtë indeksim mbase në mënyrë të shkallëzuar, në mënyrë që të ketë një impakt te ato familje që kanë në të vërtetë të ardhura më të ulëta dhe të ketë një impakt më të madh”, tha Ibrahimaj.
Ndërsa deputeti i PD-së Eno Bozdo kërkojë mbështetje për manifakturën që po dëmtohet nga zhvlerësimi i euros, por u përball me përgjigje negative.
“Manifaktura për shkak të marzhit të ulët të saj të fitimit dhe situatës ku ndodhet më të vështirë të mundshme. Ka ardhur koha që ju të deklaroni a doni ta ndihmoni këtë sektor apo jo”, tha Bozdo.
“Është e pamundur që të mbështetet me masa një sektor, i cili duhet të ndryshojë modelin e biznesit. Ajo që ne mund të bëjmë për manufakturën është që ne të suportojmë investimet dhe të nxisim investimet në kë në këtë sektor”, u përgjigj Ibrahimaj.
Sa i takon çmimeve, Ibrahimaj theksoi se po bëhen kontrolle për të mos lejuar spekulimet me çmimet pas uljes së TVSH-së në 6% për 54 produkte ushqimore nga 1 janari. Kontroll përmes një mekanizimi të ri do të ketë edhe për çmimin e karburantit pas heqjes së taksës së qarkullimit nga nafta dhe benzina dhe kalimi tek taksat vjetore të mjetit.











Komente
Komento