Kreu i qeverisë është parë gjatë seancës duke i kërkuar llogari ministrave të tij lidhur me shtesën prej 3.2 miliardë lekësh që do të bëhet në buxhetin e shtetit. Ndërkohë disa ministra, që përbëjnë edhe zërat më të fuqishëm në shtesat e parashikuara në buxhet, kanë bërë një përmbledhje të 365 ditëshit të tyre në drejtimin e ministrive. Ministri i Financave Shkëlqim Cani, i cili ka edhe një barrë të rëndësishme për ndarjen e shtesave që do të bëhen në buxhet, është treguar optimist për rritjen prej 3.2 miliardë lekësh gjatë vitit të parë qeverisës.
“Jemi në një pozicion që do të na pëlqente të përsëritej shpesh, jemi krenarë, jemi të shpërblyer. Vetëm si 8-mujor të ardhurat e buxhetit të vitit 2014 janë 260 milionë dollarë më shumë nga të ardhurat e realizuara nga të ardhurat në 8-mujorin e vitit të kaluar”, u shpreh Cani. Të njëjtin optimizën për këtë rritje në buxhet e përcolli edhe Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto. Duke prezantuar akset kryesore në të cilat do të investohet, Haxhinasto theksoi se një pjesë e mirë e këtyre të ardhurave do të shkojnë për infrastrukturën rrugore dhe sinjalistikën në rrugë. “Rruga e Arbrit”, “Lushnje-Berat” dhe ajo “Kukës-Morinë” do të jenë disa nga akset kryesore në të cilat qeveria është gati të investojë.
Siguria e komunitetit do të jetë më e madhe me këtë shtesë të buxhetit, sipas Ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri. Duke iu referuar borxheve të lëna nga qeveria e kaluar, Tahiri theksoi se me këtë shtesë standardi i Policisë shkoi në standardet evropiane. Tahiri nuk la pa përmendur edhe sukseset e këtyre 365 ditëve të para ndër të cilat veçoi luftën anti-kanabis dhe ndërhyrjet e bëra në Lazarat e Dukagjin.
Fondi prej 21 milionë dollarësh që janë parashikuar nga qeveria për Ministrinë e Shëndetësisë do të përdoren për blerjen e pajisjeve spitalore dhe mjeteve të transportit për shëndetësinë. Ministri Ilir Beqaj në fjalën e tij në Kuvend theskoi se këto fonde do të rrisin cilënisë në shëndetësi.”Kemi fonde për të blerë një helikopter të ri, 20 autoambulanca. Ndërkohë, kemi investime për dy pajisje të rëndësishme, siç janë ato të sëmundjeve kardiovaskulare dhe pajisjeve që do e çojmë në spitalin e Shkodrës”, u shpreh Beqaj.
Shkrimi u publikua sot(26.09.2014) në gazetën Shqiptarja.com(print)