PRISHTINE, 2 Shkurt/ATSH/- Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi zhvilloi të hënën një takim me homologun e tij nga Shqipëria, Nasip Naço me të cilin diskutoi për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë ndërmjet dy shteteve.
Të dy ministrat sipas agjencisë së lajmeve KosovaPress, mbajtën një konferencë për shtyp në Prishtinë. Ministri Kuçi tha se u diskutua rreth bashkëpunimit për transferimin e personave të dënuar, si dhe për çështje konkrete si ato në fushën civile dhe shkëmbimin e përvojave në fusha të veçanta si ekonomia. "Kishim një angazhim të veçantë edhe për atë çka mund të bëjë drejtësia në Kosovë dhe Shqipëri, për mundësinë që investitorët në të dy vendet të kenë siguri të plotë juridike", tha Kuçi.
Nga ana e tij, ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, Nasip Naço, theksoi se ky bashkëpunim do vazhdojë edhe në të ardhmen duke shtuar se është i gatshëm për heqjen e çdo lloj burokracie që është mes dy administratave.
"Që të ketë investime qoftë nga Shqipëria në Kosovë apo anasjelltas duhet edhe ju siguria juridike, duhet që të rriten investimet e reja, duhet një garanci në sistemin gjyqësor, një sistem i pavarur, një sistem që tregon integritet", theksoi ai. Naço shtoi se Shqipëria e ka filluar një proces reformues në sistemin gjyqësor. Ministrat thanë se bashkëpunimi do të rritet edhe në fushën e noterisë, monitorimin elektronik të të burgosurve etj./kosovapress/. /a.gjonaj/ /a.g/










