Ministrat pushtojnë Facebook
foto me fëmijë e artistë

TIRANE- Pas hapjes së adresës zyrtare në Facebook të kryeministrit Sali Berisha dhe kërkesës së tij që ministrat të jenë të pranishëm në këtë rrjet social për t'u kthyer përgjigje qytetarëve, duket se shumica e tyre e kanë marrë shumë seriozisht këtë këshillë. Duke e shfrytëzuar nga njëra anë faqen zyrtare të tyre për fushatë elektorale, duke postuar çdo veprimtari të tyre politike lidhur me PD, nga ana tjetër ata nuk ngurojnë që të ndajnë me miqtë e tyre në Facebook edhe momente familjare nëpërmjet fotove të postuara. Por cilët janë minisitrat më aktiv në Facebook?

OLLDASHI, FANSI I TIJ "I BEZDISUR" DHE "PRIFTI FRANÇESKAN"

Nga kërkimet në rrjetin social Facebook gazeta Shqiptarja.com mundi që të nxirrte disa detaje interesante nga publikimet që bëjnë çdo ditë ministrat në faqet e tyre zyrtare. Kështu, rezulton se ministri që është më aktiv dhe që e ka marrë seriozisht këshillën e Berishës "Për të dëgjuar hallet e popullit", është pikërisht ministri i Transportit, Sokol Olldashi. Ndryshe nga faqet e ministratve të tjerë, në faqen zyrtare të Olldashit,numërohen deri ditën e djeshme plot 2932 fansa që e pëlqejnë këtë. Nga këta, duke se njëri prej tyre, Ervin Jorgo Dhroso, është dhe fansi më i angazhuar në problemet që shqetësojnë popullin. Që nga data 22 janar e deri më sot Olldashi i kundërpërgjgjet çdo fraze të komentuar nga ky personazh lidhur me grantet e bllokuara për buxhetin e pushtetit vendor. Ndërkohë që një tjetër komentuese në faqen e Olldashit është dhe një zonjë e cila ngre shqetësimin për aktin normativ për kthimin e banesave të ish-pronarëve. "Po për aktin normativ që po përzë familjet nga shtëpitë, ku janë strehuar nga shteti. Të kam ndjekur si lumturoheshe si në komisjonin parlamentar ku kaloj, në Kuvend kur u votua,ashtu edhe në Kushtetuesen,në Shkodër kur bërë priftin franceskan me turp se the që është i gëzuar,ti sa nuk po fluturoje nga gëzimi dhe ky gëzim stonon fort me besimin që kanë njerëzit në demokraci..."shkruan Berja Durrësit.

RIDVAN BODE, SHKURT "RIDI"
I dyti për nga pëlqimet që ka në faqen e tij zyrtare në Facebook është ministri i Financave, Ridvan Bode ose shkurt "Ridi" siç e thërrasin miqtë e tij. Në faqen e tij Bode numëron 2.929 pëlqime nga fansat. Të bien në sy që Bode publikon në faqen e tij zyrtare fjalime, raporte apo dhe pjesëmarrje në aktivite të ndryshme që nga viti 2009. Ndërkohë që në datë 20 shkurt 2010, Bode publikoi një dokumentar të shkurtët për rënien e komunizmit. "Albanian fall of communism 1991./ Rënia e komunizmit" thuhet në postimin e tij, i cili nuk ka marrë asnjë koment dhe asnjë pëlqim.

BREGU NË FOTO ME ZUCHERON DHE ÇERDHEN NË LAPRAKË

E treta për nga pëlqimet që ka marrë në faqen zyrtare të saj, është ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Në faqen e saj numërohen vetëm 1306 pëlqime. Ndërkohë që në faqen e saj përveç disa takimeve të bëra me homologë të huaj, të bien në sy edhe foto të karakterit artistik siç është një foto e publikuar me këngëtarin italian, Zuchero. Nuk mungojnë as foto nga evente të ndryshme, emërime të saj në postin e ministres për dy mandate, foto nga kujtimet me ish-ministrat Basha, Rama,Pango, Ndoka etj. Nuk mungojnë dhe foto të fushatës së shkuar zgjedhore me fëmijë në çerdhe në Laprakë apo dhe konkurse të shkollave të ndryshme në kryeqytet.

FLAMUR NOKA DHE FOTOJA "TRENDY"

Një nga ministrat aktiv në Facebook është dhe ai i Ministrisë së Brendshme, Flamur Noka. Ndonëse në faqen e tij janë vetëm 898 pëlqime, ministri, Noka publikon në këtë faqe publikon çdo fjalim të tij në Parlament, aktivitete të minitrisë apo dhe ato me rastet e festimeve të themelimit të PD në Tropojë. I quajtur si "krenaria e Kukësit", në faqen zyrtare të tij nuk është se fansat merren me parashtrimin e problemeve që shqetësojnë vendin sesa me pëlqimet e fotove. Një nga fotot që ka marrë më shumë pëlqime është pikërisht ajo e datës 21 janar, ku ministri Noka del si "një djalë trendy", jashtë uniformave zyrtare me kostume e kollare si ministër.

flamur noka  
(Foto: Flamur Noka dhe veshja “trendy”)

EDUARD HALIMI, FOTO TË VAJZËS DHE ADMINISTRATËS
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi duket se adresën e tij e ka inaguruar që në zgjedhjet e 8 majit, pasi të gjitha postimet kanë të bëjnë me fushatën elektorale të Durrësit, kur Ferdinand Xhaferri kandidoi për kryetar bashkie. Në faqen zyrtare të tij numërohen 835 pëlqime. Përveç faktit të publikimeve të aktiviteteve të kësaj ministrie, Halimi vetëm dy ditë më parë publikon për hetrë të parë vajzën e tij. Gjithashtu në faqen e Halimit ekziston edhe një foto me stafin e Ministrisë së Drejtësisë, foto e bërë përpara shkallëve të këtij dikasteri. "Sot (data 25) mbasdite pata një vizitë shumë interesante, pasi erdhi për të më takuar për herë të parë në zyrën ku punoja, vajza ime e vogël Elen. Kishte shumë dëshirë të shihte ku punoja, dhe e lumtur siç ishte, u ul në PC. Ajo është shumë e mprehtë dhe ka një shkëlqim kaq të veçantë në sytë e saj, të cilin e fiksova me Iphone pak minuta më parë. E.H"shkruan Halimi në faqen e tij.
eduard halimi, vajza e tij
(Foto:Halimi poston në faqen e Ministrisë së Drejtësisë në “Facebook” vajzën e tij)

GENC POLLO MIK MARKO BELLON NË FACEBOOK

Me plot 318 pëlqime është faqja zyrtare e ministrit të Inavacionit, Genc Pollo, ku ndërmjet tyre të bie në sy që deputeti i vetëm i PS që ka pëlqyer një faqe të ministrave, konkretisht faqen e Pollos, Marko Bello. Në këtë faqe, e cila rezulton se është hapur në vitin 2010 nuk ndodhet asnjë koment apo shqetësim nga populli, sesa më shumë pëlqime të fotove të ndryshme të Pollos. Ndryshe nga të gjithë ministrat e tjerë, të cilët në faqet e tyre kanë foto të thjeshta të shkrepura në aktivitete e takime të ndryshme të partisë, ministri Pollo i ka kushtuar një rëndësi më të madhe fotove. Ai në faqen zyrtare të tij numëron 6 foto artistike profesionale të bëra nga fotografja, Jutta Benzenberg.

EDMOND HAXHINASTO DHE SHKOLLA E PARË SHQIPE NË GREQI
Faqja zyrtare e ministrit të Ekonomisë dhe njëkohësisht zv.kryeministrit Edmond Haxhinasto që nga momenti që është hapur numëron vetëm 293 pëlqime. Që në hapje të faqes së tij, Haxhinasto mban një foto me sekretaren e shtetit amerikan, Hilary Clinton, të realizuar në Amerikë. Ndërkohë që mes të paktave foto të hedhura në faqen e Haxhinastos, janë dhe 3 foto të hapjes së shkollës së parë shqipe në Greqi, ku ai ka qenë së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Vangjel Tavo. Ndërkohë që në faqen e tij nuk gjenden foto të tjera të aktiviteteve të tij si ministër i Ekonomisë, ose më saktë edhe kur ka qenë ministër i Jashtëm. Gjithashtu mungojnë komente dhe pëlqime siç janë bërë në faqet e ministrave të tjerë.
haxhinasto
(fotoja e publikuar nga Haxhinasto ne facebook)

TAVO FOTOT ME ROMËT DHE VITI I RI ALLA TURK

Për ministrin e Shëndetësisë, Vangjel Tavo këshilla e kryeministri Berisha për të hapur të gjithë ministrat Faceboook duket se është përmbushur prej kohësh, që para se Tavo të merrte këtë post. Në faqen zyrtare të tij, numërohen plotë 4092 miq. Edhe pse jo shumë aktiv, Tavo poston çdo aktivitet të LSI apo dhe takime me elektoratin që e ka zgjedhur në Gjirokastër. Ndërkohë që mes tyre hasen dhe foto me komunitetin rom në qytetin e Gjirokastrës me rastin e festës së Viti të Ri alla turk.

IMAMI MË PAK PËLQIME SE FAQJA ZYRTARE E MINISTRISË

Faqja e hapur para disa ditësh në emrin e ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami rezulton se ka më pak pëlqime sesa vetë faqja zyrtare e Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërsa faqja zyrtare e minsitrisë numëron 2975 pëlqime, faqja e Imamit ka vetëm 195 pëlqime dhe 9 foto gjithsej.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)

Redaksia online

(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Mali i Zi, kërkohet hetim ndërkombëtar për masakrën Cetinjës

Mali i Zi, kërkohet hetim ndërkombëtar për masakrën Cetinjës