Prishtinë - Ministri Kosovar i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka pritur të mërkurën në një takim Myftiun e Kosovës, Naim Tërnavën, me të cilin biseduan për bashkëpunimin e ndërsjellë dhe zgjidhjen e çështjeve që ndërlidhen mes dy institucioneve.
Ministri Agani e njohu drejtuesin e BIK-ut, më prioritetet e kësaj ministrie, me theks të veçantë me procesin e legalizimit,  proces te cilit do t'i nënshtrohen dhe objektet fetare, gjithmonë në harmoni të plotë me Ligjin për Legalizim.
Myftiu Tërnava, uroi ministrin Agani per postin e ri dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit.
Tërnava adresoi disa çështje që ndërlidhen me interesin e Bashkësisë Islame të Kosovës, duke vënë në prioritet inicimin e Ligjit për Bashkësi Fetare, ngase konsideron se mungesa e një ligji të tillë, po vështirëson funksionimin e mirëfilltë të bashkësive fetare në vend.
Ministri Agani, tha se është i domosdoshëm miratimi i këtij ligji, duke potencuar se në cilësinë e kryesuesit do ta adresojë këtë kërkesë edhe tek Këshilli për Zbatim dhe Monitorim.
Po ashtu në këtë takim u vleresua nevoja që në planin rregullues të implementohen normat dhe standardet evropiane, në mënyrë që në çdo lagje të parashihet edhe ndërtimi i objekteve fetare, si një e drejtë themelore dhe e pamohueshme e çdo besimtari që dëshiron t'i kryejë ritet fetare në lagjen ku jeton dhe vepron.
Ministri Agani, deklaroi se ministria që ai drejton do t'i kryejë të gjitha obligimet që parashihen me ligj në mënyrë që të jetë në shërbim të çdo qytetari dhe komuniteti në vend, pa dallim feje apo kombi. /ATSH/