PREKAZ, 6 Mars /ATSH/.-Në 17 vjetorin e Epopesë së UÇK-së dhe në nderim të Komandanti Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit një delegacion i Ministrisë së FSK-së dhe FSK-së, vizitoi sot Prekazin dhe familjen Jashari.
Ministri Haki Demolli së bashku me komandantin e FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastratin, si dhe gjeneralë dhe oficerë të lartë, në përvjetorin e 17 Epopesë së UÇK-së vizituan Kompleksin Memorial "Adem Jashari" ku bënë homazhe dhe vendosën lule në shenjë nderimi dhe respekti për Komandantin legjendar Adem Jashari, familjen Jashari dhe të gjithë dëshmorët e UÇK-së.
Delegacioni i FSK-së u prit edhe në Kullën e Familjes Jashari nga Murat Jashari, pasardhës i familjes legjendare Jashari dhe pjesëtarë tjerë të kësaj familje. Me këtë rast komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati në emër të delegacionit të FSK-së, çmoi lartë sakrificën e pashembullt të Komandantit Legjendar dhe të familjes Jashari.
Në emër të familjes Jashari, delegacionin e FSK-së, e falënderoi Murat Jashari, nipi i komandantit legjendar Adem Jasharit./b.j/k.s/











