Ministri i Drejtësisë Toni Gogu ka prezantuar një qasje të re në trajtimin e të miturve në konflikt me ligjin, duke vendosur në qendër drejtësinë restauruese si alternativë ndaj ndëshkimit tradicional.
Gjatë një takimi me studentë të shkencave sociale, ai theksoi se një vepër penale nuk është vetëm shkelje e ligjit, por një dëm konkret ndaj njerëzve dhe komunitetit.
“Një i mitur që vetëm ndëshkohet mund të rikthehet te gabimi. Një i mitur që përballet me pasojat dhe mbështetet për të ndryshuar, ka një shans real për të mos u kthyer më aty,” u shpreh ai.
Ministri nënvizoi se Shqipëria tashmë ka një kuadër modern ligjor përmes Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, por sfida kryesore mbetet zbatimi praktik dhe i njëtrajtshëm në të gjithë vendin.
Ai kërkoi më shumë bashkëpunim mes drejtësisë, shkollës, familjes dhe komunitetit, duke theksuar se drejtësia restauruese nuk mund të funksionojë vetëm si procedurë ligjore, por si mekanizëm social.
“Drejtësia nuk është vetëm ndëshkim. Është aftësia për të riparuar dëmin dhe për t’i dhënë një mundësi të dytë,” përfundoi ai.
“Drejtësia për të miturit nuk matet me sa ndëshkon, por me sa arrin të ndryshojë jetën e tyre.”
Komente












