Në përmbyllje të vizitës së tij në Tiranë, Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Dendias, vizitoi këtë të hënë Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në kryeqytet, ku u prit nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Joani. Sipas njoftimit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, gjatë vizitës u zhvillua një takim në atmosferë miqësore, ndërsa më pas Dendias, i shoqëruar nga Kryepiskopi Joan, bëri homazhe pranë varrit të Kryepiskopit të ndjerë Anastas.

“Më 25 maj 2026, në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri dhe të takimeve me përfaqësues të lartë të Qeverisë shqiptare, Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, z. Nikos Dendias, vizitoi Katedralen Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit”, ku u prit nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Imzot Joani, me të cilin zhvilloi një takim dhe bisedë në një atmosferë miqësore. Më pas, z. Dendias, i shoqëruar nga Kryepiskopi Joan vizitoi varrin e Kryepiskopit të ndjerë Anastas ku bëri homazhe në nderim të tij”, shkruan Kisha.

Kryepeshkopi i Shqipërisë Anastas Janullatos u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare në 25 janar 2025. Fortlumturia e tij u prek nga viroza dhe fillimisht në 30 dhjetor u shtrua në një spital privat në Tiranë, dhe më pas u dërgua me helikopter në Athinë. Pavarësisht trajtimit të specializuar ai nuk mundi të mbijetojë, pasi për shkak të një hermoragjie gastrike shumë organe jetësore humbën funksionin.

Janullatos la pas pas një trashëgimi të rëndësishme në ringritjen e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë pas viteve ’90. Ai konsiderohej si figura kyçe që rindërtoi institucionet fetare ortodokse në vend pas rënies së komunizmit, duke hapur dhjetëra kisha, shkolla dhe institucione sociale.

Kryepeshkopi Janullatos lindi në Greqi ndërsa më 16 korrik 1991 mbërriti për herë të parë në Shqipëri për të ringjallur besimin ortodoks pas 24 viteve errësirë ateiste, pasi regjimi komunist ndali praktikimin e fesë me ligj në vitet 1967-1991.


Lajmi kryesor:

Çështja e detit/ Ministri grek i Mbrojtjes në Tiranë, Rama: Mbështetës i palëkundur i partneritetit strategjik mes dy vendeve! Dendias: Folëm për Himarën, minoriteti urë miqësie mes nesh