Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha tha se diaspora është dimension plotësues i identitetit kombëtar shqiptar.

“Sot nuk mblidhemi për një takim të radhës; si çdo herë kur bëhemi bashkë, në këtë sallë rreh një zemër e madhe, që e bën këtë qytet më shumë se vetëm kryeqytetin e Shqipërisë, e bën një shtëpi të përbashkët për të gjithë ne. Samiti vjen në një moment kyç: Shqipëria po ecën drejt të ardhmes evropiane dhe të njëjtën gjë mund të them edhe për Kosovën. Diaspora nuk është thjesht jashtë, jo një adresë ku drejtohemi kur kemi nevojë, por një dimension plotësues i identitetit tonë kombëtar.

Gjuha shqipe është ADN-ja jonë, është kujtesë, identitet, vazhdimësi. Pa gjuhën do të na mbetej vetëm trupi. Përpjekjet për gjuhën, në rajon e diasporë, janë përpjekje për të qenë vetvetja. Nëse gjuha jonë, që i ka rezistuar shekujve, dobësohet sot kur jemi më të ditur e më të lidhur, përgjegjësia është vetëm e jona. Gjuhën shqipe ta çojmë në vendin që meriton, në familjen e madhe evropiane. Nga brezi i parë që u largua me pak shpresë, por shumë kurajë, ju keni ndërtuar një kapitull të ri të shqiptarisë globale. Edhe nga larg, ju e keni gjithmonë afër. Sot, në kohë zhvillimi, ju duam partnerë. Atdheu është kudo ku ka shqiptarë. Përmes rrënjëve lartësohemi, përmes dijeve forcohemi”, tha Hoxha.


Lajmi kryesor:

Diaspora në Tiranë/ Rama: Bëhuni pjesë e rrugës drejt BE, projekt i madh sa amaneti i të parëve! Ju përmbushëm të drejtën e votës (VIDEO)